Drejtori sportiv i Atletico Madridit, Mateu Alemany, ka përsëritur qëndrimin e prerë të klubit për të mos e shitur Julian Alvarez te rivalët, Barcelona.

“Kemi qenë të qartë”, deklaroi Alemany. “Bordi e ka thënë këtë, Miguel Angel Gil Marin e ka thënë gjithashtu dhe unë i referohem asaj. Pse duhet të flas më shumë?”


Alemany foli edhe për gjendjen e sulmuesit argjentinas, i cili mungoi për katër ditë në stërvitje.

“Julian kishte disa ditë kur nuk ndihej mirë. Dje u stërvit dhe presim që të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të kampionatit”, tha drejtori i Atleticos.

26-vjeçari tashmë është rikthyer në stërvitje, pasi duket se e ka pranuar faktin që një transferim te Barcelona nuk do të realizohet gjatë kësaj vere.

Alvarez është i gatshëm të vazhdojë aventurën në Madrid, pasi më herët kishte refuzuar edhe mundësinë për t’u transferuar te Arsenali.

Ndërkohë, Barcelona nuk pritet të bëjë një investim të madh për një tjetër sulmues në rast se dështon përfundimisht tentativa për Alvarez.

Klubi katalanas po shqyrton mundësinë që të mbështetet te alternativat që ka brenda skuadrës, mes tyre Raphinha, Anthony Gordon dhe Karim Adeyemi.

Kështu, qëndrimi i Atleticos duket i palëkundur: Julian Alvarez nuk është në shitje, sidomos për një rival direkt si Barcelona. /Telegrafi/

telegrafi sport app