Alarm i kuq te Franca - lëndimi i Mbappes më serioz se sa dukej

Kylian Mbappe duket se ka pësuar një dëmtim të rëndë në prag të Kupës së Botës, pasi kërkoi të zëvendësohej gjatë ndeshjes së fundit të Real Madridit.
Me vetëm pak ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit për klubet në të gjithë Europën, si tifozët ashtu edhe lojtarët kanë nisur të fokusohen te Kupa e Botës, e cila nis këtë verë.
SHBA, Kanadaja dhe Meksika do ta bashkëorganizojnë turneun e madh ndërkombëtar, me Meksikën që do të presë Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse më 11 qershor.
Siç ndodh gjithmonë në Botëror, thuajse të gjitha yjet më të mëdhenj të futbollit pritet të udhëtojnë drejt Amerikës së Veriut për të përfaqësuar vendet e tyre në skenën më të madhe.

Megjithatë, disa lojtarë të profilit të lartë janë përjashtuar tashmë nga Botërori për shkak të dëmtimeve, ndërsa talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, është shqetësimi më i fundit pas dëmtimit të tij.
Tani, në listën e dyshimeve të mundshme për Botërorin është shtuar edhe Mbappe, pasi francezi kërkoi të zëvendësohej gjatë barazimit 1-1 të Real Madridit ndaj Real Betisit të premten mbrëma.
Sulmuesi shumë produktiv, i cili këtë sezon ka shënuar 41 gola në 41 paraqitje në të gjitha garat, kërkoi të dilte nga loja në minutat e fundit të paraqitjes së tij të 100-të me fanellën e Real Madridit, me dyshimin për një tërheqje në muskujt e pasmë të kofshës (hamstring).
Fillimisht, shkalla e dëmtimit nuk ishte e qartë, por sipas gazetarit spanjoll Jose Luis Sanchez, 27-vjeçari ka pësuar mbingarkesë në hamstringun e këmbës së majtë.
Edhe pse ende nuk dihet saktësisht sa kohë do të mungojë Mbappe, është e mundshme që ai të mos jetë në dispozicion për ndeshjen e Madridit ndaj Espanyolit më 3 maj, dhe potencialisht edhe për përballjen “El Clasico” ndaj Barcelonës një javë më vonë./Telegrafi/





















































