FC Andorra ia zgjat kontratën talentit shqiptar Gert Behxheti deri në vitin 2027 - Shqipëria po e monitoron, skautë anglezë pas tij

Sulmuesi 17-vjeçar, Gert Behxheti, ka marrë një vlerësim të madh te FC Andorra, pasi klubi ia ka zgjatur kontratën deri më 30 qershor 2027, me synim që ta mbajë dhe ta zhvillojë si një nga talentët premtues për të ardhmen.
Behxheti ka lënë përshtypje gjatë gjysmës së sezonit te ekipi i të rinjve të Andorrës, ku ka realizuar katër gola në 10 paraqitje, statistika që kanë qenë një nga arsyet kryesore pse drejtuesit vendosën t’i ofrojnë vazhdim të marrëveshjes.
Puna e tij, paraqitjet dhe golat kanë bërë që emri i sulmuesit të bjerë në fokus edhe jashtë Spanjës.

Skautë nga Anglia janë interesuar për ta ndjekur më nga afër, pas paraqitjeve të mira që ka treguar me grupmoshat.
Po ashtu, thuhet se kanë nisur edhe kontaktet e para nga Kombëtarja e Shqipërisë, megjithatë Behxheti nuk pritet të nxitojë për vendimin e tij në të ardhmen, duke i lënë të hapura opsionet.
Aktualisht, Behxheti është pjesë e ekipit U-19, por stërvitet rregullisht me ekipin e parë dhe nuk përjashtohet mundësia që shumë shpejt të bëjë hapin e radhës, duke debutuar fillimisht te ekipi B ose duke u afruar edhe më shumë me skuadrën e parë.

FC Andorra udhëhiqet nga ish-ylli i futbollit spanjoll, Gerard Piqué, dhe klubi duket se po investon fuqishëm në zhvillimin e talenteve të rinj – me Behxhetin që tani konsiderohet një nga projektet e tyre më premtuese. /Telegrafi/












































