Aktori i serialit të Netflix "Virgin River" u gjet i vdekur shtatë ditë pas zhdukjes, dyshohet për vrasje

Aktori Stewart McLean, i njohur për rolin e tij në serialin e Netflix-it "Virgin River", është gjetur i vdekur shtatë ditë pasi u raportua i zhdukur në provincën kanadeze të British Columbia-s. Ai ishte 45 vjeç.
Trupi i tij u gjet në Lions Bay, një komunitet në veri të Vankuverit, tha Njësia e Hetimit të Vrasjeve (IHIT). Data e saktë e gjetjes së trupit nuk është njoftuar ende.
Vdekja e aktorit po trajtohet si vrasje dhe sipas policisë, është një "incident i izoluar". Zyra e Mjekut Ligjor të Kolumbisë Britanike po përcakton shkakun e saktë të vdekjes.
McLean u shfaq së fundmi në një episod të serialit të Netflix-it "Virgin River", dhe është i njohur për publikun edhe për rolet e tij në projektet "Beyond" dhe "Traveler". Gjatë karrierës së tij, ai interpretoi më shumë se 30 role në produksione të ndryshme.
Policia e Squamish fillimisht mori një raport për zhdukjen e tij të hënën dhe ai u pa për herë të fundit më 15 maj në shtëpinë e tij në Lions Bay. Në një deklaratë të mëparshme, policia deklaroi se ekziston "shqetësim i madh për shëndetin dhe sigurinë e tij" dhe u bëri thirrje qytetarëve të japin informacion nëse e kanë.
Çështja u mor më pas përsipër nga Njësia e Hetimit të Vrasjeve, e cila konfirmoi se një hetim për vdekjen e tij kishte filluar të mërkurën.
Sipas policisë, gjatë hetimit fillestar, u mblodhën prova që i çuan hetuesit në përfundimin se McLean ishte viktimë e një vrasjeje, megjithëse detajet e këtyre provave nuk u zbuluan.
Hetimi është ende duke vazhduar dhe hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjen dhe aktivitetet e aktorit para 15 majit, duke analizuar provat, pamjet e kamerave të mbikëqyrjes dhe intervistat me dëshmitarët.
Policia tha se po punon mbi të gjitha informacionet në dispozicion për të përcaktuar të gjitha rrethanat e rastit.
Agjencia Lucas Talent Inc., e cila përfaqësonte McLean-in, e përshkroi atë si një njeri të përkushtuar, profesional dhe me humor të jashtëzakonshëm.
Agjentja e tij, Jodi Caplan, me të cilën ai punoi për më shumë se një dekadë, tha se reagimet e kolegëve të tij në industri treguan se sa shumë respektohej ai.
Siç deklaroi ajo, shumë drejtorë të përzgjedhjes së aktorëve i dërguan ngushëllime familjes dhe agjencisë, duke vënë në dukje se McLean do të mbahet mend si "një person jashtëzakonisht i mirë që do të na mungojë shumë". /Telegrafi/

















































