eksperti-banner

Peja Outdoor Festival ka hapur zyrtarisht aktivitetet e edicionit të këtij viti, duke sjellë një sërë organizimesh që promovojnë jetën aktive, kujdesin për mjedisin dhe turizmin në natyrë.

Sipas organizatorëve, dita e parë e festivalit nisi me aktivitetin e mbjelljes së drunjve në qytet, një nismë simbolike që synon të lërë një gjurmë të gjelbër për brezat e ardhshëm.




"Një pemë e mbjellë sot është një premtim për një të ardhme më të gjelbër", thuhet në njoftimin e festivalit, duke e cilësuar këtë aktivitet si një hap të vogël me ndikim të madh për komunitetin dhe mjedisin.

Pas kësaj, pjesëmarrës të shumtë iu bashkuan vrapimit rekreativ përgjatë Lumbardhit, në një aktivitet që promovoi shëndetin, rekreacionin dhe bashkimin e qytetarëve përmes sportit.



"Njerëz të mirë u bënë bashkë për të vrapuar buzë Lumbardhit", kanë bërë të ditur organizatorët.

Mbrëmja u përmbyll me ceremoninë e hapjes zyrtare të Peja Outdoor Festival, duke shënuar nisjen e tri ditëve të dedikuara aventurës, aktiviteteve në natyrë dhe argëtimit.

Organizatorët kanë ftuar qytetarët dhe vizitorët të bëhen pjesë e programit të festivalit, duke theksuar se gjatë tri ditëve në vazhdim do të kenë mundësi të përjetojnë aktivitete të ndryshme dhe përvoja të paharrueshme në zemër të Pejës. /Telegrafi/