Peja dhe Fili Meridiani forcojnë lidhjet me Arbërinë përmes kulturës dhe trashëgimisë

Komuna e Pejës ka njoftuar se ka formalizuar një partneritet ndërkombëtar bashkëpunimi me organizatën italiane Fili Meridiani APS, me fokus në kulturë, turizëm, trashëgimi dhe promovimin e identitetit të përbashkët.
Partneriteti synon të forcojë marrëdhëniet institucionale dhe shkëmbimet kulturore e turistike ndërmjet Pejës dhe komuniteteve arbëreshe në Itali, duke krijuar mundësi për zhvillimin e nismave të përbashkëta.
Sipas njoftimit, bashkëpunimi është rezultat i një dialogu të nisur në vitin 2025, kur Blerta Harxhi-Begolli, eksperte në zhvillimin lokal, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe diplomacinë kulturore nga Komuna e Pejës, mori pjesë në Festivalin Dixhital Arbëria në Pallagorio.

Takimi institucional u zhvillua në Komunën e Pejës, në prani të këshilltares për Kulturë, Xhenet Syka, Blerta Harxhi-Begollit dhe stafit të administratës komunale.
Gjatë takimit është diskutuar për mundësinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta që do të forcojnë shkëmbimet në fushën e kulturës, turizmit dhe trashëgimisë, si dhe lidhjet ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve.
Në kuadër të vizitës, delegacioni i Fili Meridiani ka marrë pjesë edhe në një aktivitet të organizuar në Sheshin “Skënderbej” në Pejë, ku janë promovuar zanatet, traditat popullore dhe turizmi lokal.

Fili Meridiani ka prezantuar Arbërinë e Krotones dhe fshatin Pallagorio, duke u ofruar qytetarëve mundësi të njihen me historinë dhe trashëgiminë e komuniteteve arbëreshe, si dhe me potencialet turistike të kësaj zone.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe prezantimi i gatimit tradicional arbëresh “Dromësat”, i përgatitur nga Raffaella Bossio dhe Stefania Demasi. Po ashtu, Maria Luisa Greco prezantoi veshjen tradicionale arbëreshe, ndërsa këngëtari arbëresh Peppino Siciliani performoi këngë në gjuhën arbëreshe.
Gjatë qëndrimit në Pejë, delegacioni vizitoi edhe disa prej pikave kryesore historike, kulturore dhe natyrore të qytetit, përfshirë Grykën e Rugovës dhe zona të tjera me potencial turistik.
Sipas njoftimit, partneriteti përbën një hap të ri në bashkëpunimin ndërkombëtar të Fili Meridiani dhe synon të krijojë projekte të qëndrueshme në fushën e kulturës, turizmit dhe zhvillimit territorial. /Telegrafi/












































