LAJMI I FUNDIT:

ADA ndanë 500 mijë euro për projektet për fuqizimin e të rinjve kosovarë

ADA ndanë 500 mijë euro për projektet për fuqizimin e të rinjve kosovarë

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka nënshkruar marrëveshjen me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), në vlerë prej 500 mijë eurove me qëllim të implementimit të projekteve që kanë për qëllim fuqizimin e mbi 7 mijë të rinjve kosovarë.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin thekson se me financimin e ADA-s, UNICEF-i do të forcojë mundësitë për adoleshentët dhe të rinjtë më të margjinalizuar për të zhvilluar dhe udhëhequr projekte që i adresojnë çështjet në komunitetin e tyre.

“Kjo do t’i mundësojë të rinjve të jenë agjentë të ndryshimeve shoqërore për komunitetet e tyre “, ka thënë ai.

Sipas një komunikate, partneriteti në mes të UNICEF-it dhe ADA-s ka për synim që së bashku të dy agjencitë të kontribuojnë në forcimin e kurrikulës të bazuar në aftësi në kuadër të sistemit arsimor, si dhe të ofrojë tri zgjidhje digjitale për institucionet publike.

Përmes këtij partnertiti synohen të trajnohen 140 mësues, 60 për qind prej tyre vajza. Po ashtu, si rezultat i projektit 2,400 adoleshentë (prej tyre 60 për qind vajza), do të aftësohen me shkathtësi të shekullit 21. Pritet të themelohen po ashtu 4 qendra të inovacionit social në katër rajone të ndryshme në Kosovë me qëllimin e aftësimit të 2,200 adoleshentëve. Po ashtu pritet të themelohen 8 nisma sociale përmes programeve si StartUp – program ky që i fuqizon të rinjtë dhe ofron mundësi për inovacion social dhe ndërmarrësi, përmes së cilit do të përfitojnë afro 400 të rinj për shkathtësi të buta dhe të transferueshme. Derisa 600 vajza dhe djemë pritet të përfitojnë aftësi të Teknologjisë Informative.

“Pasi që jemi të vetëdijshëm që vajzat dhe djemtë me prapavijë të margjinalizuar vuajnë më shumë nga mungesa e arsimimit adekuat në sektorin e TIK-ut në Kosovë, dhe pasi që Agjenda 2030 premton të mos lërë askënd prapa, ne e kemi bërë si prioritet tonin kryesor që të kemi si target grup posaçërisht vajzat dhe djemtë që vijnë nga zona rurale ose komunitete të varfra. Në total, bashkëpunimi ynë me UNICEF do të arrijë të mbështesë 7.100 të rinj të gjinisë femërore dhe mashkullore nga 14 deri në 24 vjeç. 653.738 Euro – 500.000 prej të cilave janë siguruar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim – do të ndihmojnë në përditësimin e sistemit zyrtar arsimor, institucionalizimin e shpërndarësve të inovacionit social dhe ofrimin e zgjidhjeve digjitale për institucionet publike, tha shefi ekzekutiv i ADA-s, Ledolter.

Kjo është marrëveshja e tretë më radhë, në kuadër të parneritetit në mes të UNICEF-it dhe ADA-s në Kosovë.