A do duhej që estrada e Kosovës të solidarizohet me Shqipërinë?

Më la përshtypje një lajm, që Yjet bashkojnë forcat për ndihmë ndaj Haitit. Shakira, Oprah Winfrey dhe Chris Martin janë vetëm disa nga të famshmit, të cilët janë vënë në aksion për të mbledhur fonde për të ndihmuar Haitin.
Ata janë bashkuar me Ben Stiller, Jessica Alba, Brad Pitt, Angelina Jolie, Wyclef Jean etj., për t’u bërë thirrje njerëzve që t’u ndihmojnë personave që mbetën të pastrehë si pasojë e tërmetit të fuqishëm.
Yje të shumtë, si Mark Hoppus, Yoko Ono, Joey MCintyre, Kim Kardashian, kërkojnë që të dhurohen para nëpër organizata bamirëse ashtu që t’u ndihmohet njerëzve që përjetuan këtë tragjedi.
Prandaj, shtrohet pyetja, a do të duhej, që edhe estrada e Kosovës, të solidarizohej me vëllezërit tanë në Shqipëri? Përgjigja normalisht, se do të vije pozitive, sepse rrethi i Shkodrës dhe i Lezhës, vërtetë është në një gjendje të rëndë.
Jemi të informuar shumë mirë nga terreni me pasojat që ka lënë shirat e fundit në këto pjesë të Shqipërisë, e sidomos në këto ditë të ftohta. Kuptohet, se yjet tanë të estradës, nuk janë edhe aq të pasur, sa ato yje që i përmendëm më lartë, por ndihmat nuk maten në kandarë, me rëndësi, është që të jenë pjesë e solidarizimit dhe askush nuk mundet të thotë, se estrada nuk ka mundësi të ndihmojë. (Artistët janë në pozitë krejt ndryshe financiare).
Të kujtojmë luftën në Kosovë, që në atë kohë, të gjithë artistët me mënyra të ndryshme të Shqipërisë, kanë qenë afër Kosovës, prandaj, duhet gjetur mënyrë, se si ti ndihmojmë vëllezërve të një gjaku, gjuhe dhe kombi në Shqipëri, që u përballën dhe po përballen me një gjendje të rëndë.
Gjersa thuajse e gjithë Evropa u ngrit në këmbë, nuk duhet që të rrihet indiferent dhe të shikohet nga dritarja, se çka po ndodh, por të solidarizohemi nga pak dhe të pakësojmë dhimbjen e madhe ekonomike dhe natyrore që ndodhi në Shkodër me rrethinë dhe në Lezhë e me rrethinë.
(Autori është drejtues i Qendrës Mediale Shqiptare në Diasporë)





































