ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Mërgim Vojvoda është zyrtarisht futbollist i ri i Udineses. Klubi italian ka konfirmuar transferimin e mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës nga Como, duke e prezantuar si një përforcim me cilësi dhe përvojë për repartin defensiv.

31-vjeçari është transferuar me karton të plotë dhe ka nënshkruar kontratë që e mban të lidhur me klubin friulian deri më 30 qershor 2028, me opsion për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për një sezon tjetër.


Në komunikatën zyrtare, Udinese e përshkruan Vojvodën si një futbollist shumë të gjithanshëm, i aftë të luajë si në një mbrojtje me katër lojtarë, ashtu edhe në rolin e krahut të djathtë në skemat me pesë mbrojtës. Klubi vlerëson teknikën e tij të mirë dhe prirjen për të kontribuar edhe në fazën sulmuese.

I lindur më 1 shkurt 1995 në Llaushë të Kosovës, Vojvoda hapat e parë në futboll i hodhi në Holandë me akademinë e Maastrichtit, përpara se të transferohej në Belgjikë te Standard Liege dhe më pas te Sint-Truiden, ku debutoi si profesionist gjatë sezonit 2014/15.

Karriera e tij vazhdoi me një aventurë në Gjermani te Carl Zeiss Jena, ndërsa më pas u rikthye në Belgjikë, ku kaloi tri sezone te Mouscron. Me këtë skuadër regjistroi 103 paraqitje dhe shënoi dy gola në kampionat dhe kupë.

Në verën e vitit 2019 u rikthye te Standard Liege, me të cilin luajti edhe në Ligën e Evropës, ndërsa një vit më vonë realizoi ëndrrën për të kaluar në Serie A, duke firmosur me Torinon.

Me klubin nga Torino ai u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke zhvilluar 135 ndeshje në Serie A dhe Kupën e Italisë gjatë katër vjetëve e gjysmë, ndërsa realizoi edhe tre gola.

Në janar të vitit 2025, Vojvoda iu bashkua Comos, ku u bë menjëherë një element kyç në skuadrën e drejtuar nga Cesc Fabregas. Trajneri spanjoll e aktivizoi edhe në role më ofensivë në krah, ndërsa mbrojtësi kosovar e mbylli gjysmën e parë të sezonit 2024/25 me një gol në 11 paraqitje.

Forma e tij u konfirmua edhe sezonin e kaluar, kur realizoi dy gola në 30 ndeshje të Serie A, duke ndihmuar Comon të siguronte një kualifikim historik në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, ai kontribuoi edhe në rrugëtimin e skuadrës deri në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, ku regjistroi katër paraqitje./Telegrafi/
telegrafi sport app