LAJMI I FUNDIT:

ME ZOTIN NË ANËN TONË

ME ZOTIN NË ANËN TONË

Poezi nga: Bob Dylan
Përktheu: Besnik Hamiti

Oh, emri im s’ka rëndësi, mosha dhe më pak
Miduest quhet vendi rrënjët ku i kam
U rrita atje duke më mësuar se ligjet duhet respektuar
Dhe se toka ku jetoj ka Zotin përkrah


Oh, librat e historisë e thonë mirë e qartë
Kalorësia marshoi, indianët faroi
Oh, shteti ishte i ri
Por kish Zotin përbrí

Lufta spanjollo-amerikane pati famën e saj
Lufta Civile gjithashtu nuk vonoi e treti
Emrat e heronjve më detyruan përmendësh t’i mbaj
Me armë në duart e tyre dhe Zotin përkrah veti

Djema, Lufta e Parë Botërore, erdhi e shkoi
Arsyen e luftimit koka ime kurrë se kuptoi
Por u mësova ta pranoj, ta pranoj me krenari
Se nuk numërohen të vrarët kur Zoti është me ty

Lufta e Dytë Botërore gjeti fundin e saj
I falëm gjermanët u bëmë miq pastaj
Ndonëse vranë gjashtë milionë, në furra i poqën
Tash edhe gjermanët kanë Zotin me ta

Gjatë gjithë jetës time t’i urrej rusët mësoj
Po u ndez një luftë tjetër, kundër tyre duhet të luftoj
T’i urrej dhe t’i kem frikë, të ik e të fshihem
Dhe të pranoj burrërisht gjithçka, me Zotin përkrah

Por tani kemi armë me pluhur kimik
Po na shtynë t’i shkrehim, pa çare i ndezim
Një e shtypur butoni e tund botën shqim
Kur Zoti është me ty, mos u bë skeptik

Shpesh në orë të liga për këtë kam menduar
Me një puthje Jezu Krishti qe tradhtuar
Por s’mund të mendoj për ju, këtë e vendosni vetë
Vallë në anën e tij kishte Zotin, Juda i shkretë

Jam lodhur e këputur, tash kur po shkoj
Hutimin që e ndjej s’ka gjuhë që mund ta tregojë
Fjalët më mbushin kokën sa derdhen në dysheme
Nëse Zoti është me ne do të ndalë një luftë të re.