LAJMI I FUNDIT:

Zhvillimi i industrisë nuk mund të bëhet pa energji të mjaftueshme

Zhvillimi i industrisë nuk mund të bëhet pa energji të mjaftueshme

Mos jetësimi i Termocentralit “Kosova e Re” nuk është opsion.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka thotë se mosjetësimi eventual i këtij projekti do të ndikonte në imazhin e Kosovës dhe keqësimin e furnizimit me energji elektrike.


“Tërheqja eventuale e kompanisë amerikane nga ky proces do t’i kontribuonte më tej imazhit negativ me të cilin përballet Kosova në aspektin e ikjes së investitorëve, pa përsëritur këtu edhe një herë përkeqësimin e situatës së furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e varësisë nga importi, të cilën nuk do të mund ta përballojnë as bizneset dhe as konsumatorët individualë”, ka thënë Zeka.

Ai tha se nuk do të duhej të shkojë kot gjithë koha e shpenzuar dhe ato resurse që janë koncentruar në jetësimin e këtij projekti tash e një kohë të gjatë. Sipas tij, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, tash e sa vite e ka përkrahur projektin për kapacitetet e reja energjetike, duke përfshirë këtu edhe nënshkrimin e marrëveshjes fillestare me kompaninë amerikane “CounturGlobal”.

Kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka tha se ndërtimi i termocentralit do të përmirësonte qëndrueshmërinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike si dhe do të ndihmonte në krijimin e vendeve të reja të punës.

Ai pret që projekti do të realizohet, pasi në të ardhmen kërkesa për energji do të rritet ashtu siç pritet të rritet industria e Kosovës. “Furnizimi stabil dhe cilësor me energji ka qenë njëra ndër kërkesat kryesore të bizneseve në vitet e fundit. Natyrisht se kjo kërkesë do të bëhet edhe më e madhe, me shtimin e kapaciteteve të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese industriale në vendin tone”, tha Zeka.

Zeka ka treguar se bizneset kanë pasur humbje të mëdha deri më tani nga mungesa e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike. “Rezultati i mospërmbushjes së nevojave vendore për energji elektrike e posaçërisht gjatë nxjerrjes nga funksioni i blloqeve gjeneruese për shkak të remontit dhe varësisë nga importi dhe çmimet e larta kanë karakterizuar energjinë e importuar”, ka thënë ai.

Sa i përket projekti të TC Kosova e Re, Ministri i zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se përveç angazhimit të Qeverisë, pjesë e këtij procesi janë një varg aktorësh, përfshi edhe vendimmarrjen . “Me investitorin amerikan jemi në përmbyllje të fazës së marrëveshjeve komerciale dhe presim që nga fundi i qershorit fillimi i korrikut të vazhdojmë me fazën tjetër që do të jetë pakoja tenderuese për ndërtimin e Termocentralit. Nëse nuk kemi pengesa, një vit nga tash do të nis puna e vërtetë e njërit nga investimet më të mëdha në të gjithë sektorët”, tha Stavileci gjatë një vizite që ka pasur tek termocentralet ekzistuese në fillim të këtij muaji.

Stavileci ka thënë se po punohet intensivisht që i tërë sektori i energjisë të transformohet, pasi me kapacitet ekzistuese mbulohet një pjesë e madhe e konsumit për energji elektrike, por këto kapacitete janë të vjetruara dhe pjesa më e madhe ka nevojë për rivitalizim.

“Ne kemi punuar edhe në projekte të reja, me të cilat ne mund të kemi kapacitete të shtuara të prodhimit të energjisë elektrike, që të jemi pjesë e një rajoni stabil me furnizim të sigurt të energjisë, por edhe në të ardhmen të jemi pjesë e rrjetit trans-evropian të energjisë elektrike”, shtoi ai.
Edhe Skënder Bucolli, drejtor në zyrën për marrëdhënie me Publikun në Korporatën Energjetike të Kosovës tha se KEK mirëpret çdo investim që ka ndikim në përmirësimin e sektorit të energjisë. Aktualisht, KEK-u është i koncentruar në arritjen e caqeve të prodhimit të energjisë, të cilat përcaktohen nga ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“KEK ka realizuar me sukses prodhimin qe është planifikuar sipas bilancit te aprovuar vjetor gjate vitit 2015, KEK ka prodhuar rreth 5.5 milion MWh, qe paraqet 97% te prodhimit vendor te energjisë”, tha Bucolli.

Termocentrali “Kosova e Re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në vend, ndërsa kostoja për ndërtimin e tij vlerësohet të arrijë 1.5 miliard euro. Një pjesë e kësaj kostoje do të financohet direkt nga kompania Amerikane CounturGlobal dhe pjesa tjetër pritet të jenë kredi që do të merren nga institucionet ndërkombëtare financiare. MZHE-ja është në proces të negocimit të kontratave komerciale me kompaninë amerikane. Pastaj pritet të shpallet tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë termocentralin 500 megavatesh me një efiçiencë prej 40 për qind. /Telegrafi/