LAJMI I FUNDIT:

Zëvendësimi i taksës 100 për qind me reciprocitet – përkrahje nga biznesi, kundërshtime nga opozita dhe reagime nga SHBA

Zëvendësimi i taksës 100 për qind me reciprocitet – përkrahje nga biznesi, kundërshtime nga opozita dhe reagime nga SHBA

Taksa doganore 100 për qind e vendosur nga Qeveria e kaluar e Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina po shqyrtohet nga qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, me synimin që të zëvendësohet me reciprocitet ekonomik dhe tregtar.

Tashmë zëvendësimin e taksës me reciprocitet e ka paralajmërua vetë kryeministri Kurti.


Kundër Kurtit ka dalë opozita. Reagime ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, përfaqësues të biznesit në vend, thonë se kryeministri Kurti duhet të konsultohet me ta para vendosjes së masës së reciprocitetit.

Kryeministri Albin Kurti thotë se heqjen e taksës 100 për qind do ta bëjë porsa të vendoset reciprociteti.

“Tarifa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100 për qind hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100 për qind. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohje të pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti tregon hapat që po ndërmerr për heqjen e taksës ndaj Serbisë
Lexo po ashtu Kurti tregon hapat që po ndërmerr për heqjen e taksës ndaj Serbisë

Në dhjetor të vitit 2011, me propozim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në atë kohë, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë, e cila në pikën e parë të saj, thoshte se, “Qeveria e Kosovës, duhet t’i ndërmarrë masat e reciprocitetit të plotë politik, tregtar ndaj Serbisë”.

Një masë reciprociteti, Qeveria e Kosovës e kishte zbatuar ndaj Serbisë edhe në muajin korrik të vitit 2011, por vendimi ishte zbatuar vetëm për 50 ditë dhe më pas ishte shfuqizuar.

Mirëpo, partitë opozitare janë shprehur kundër heqjes së kësaj takse, kurse reciprocitetin ndaj Serbisë e shohin si masë jo të duhur.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Kurti, i cili ka kërkuar nga ai që mos ta largojë taksën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Haradinaj, letër të hapur kryeministrit Kurti: Mos e largo taksën ndaj Serbisë
Lexo po ashtu Haradinaj, letër të hapur kryeministrit Kurti: Mos e largo taksën ndaj Serbisë

“Albin, ne të dy kemi kaluar nëpër rrugë të vështira. Ne garojmë dhe do të vazhdojmë garën politike. Nuk kemi arritur deri këtu ku jemi si Kosovë me taktizime të përkohshme, por me sakrificë e qëndrueshmëri. Ne kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke e jo të jesh për një ‘reciprocitet’ pa njohje”, thuhet në letrën e Haradinajt.

Po ashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, me anë të një shkrimi në Facebook, kishte reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve të kryeministrit Kurti se do ta heqë së shpejti tarifën doganore.

Veseli i reagon Kurtit për taksën: I shqetësuar me ngutinë tuaj për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe
Lexo po ashtu Veseli i reagon Kurtit për taksën: I shqetësuar me ngutinë tuaj për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe

“Shpreh shqetësimin për ngutin e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën”, ka shkruar Veseli.

Përmes një postimi në Twitter, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kërkojnë heqjen e taksës, duke shtuar se Kurti ka të drejtë në këtë çështje.

“Kadri, SHBA-ja po kërkon heqjen e taksës 100 për qind. Ajo dëmton Kosovën dhe pengon bizneset në krijimin e vendeve të reja të punës. Albini ka të drejtë në këtë”, ka shkruar Grenell.

Grenell i drejtohet Veselit: SHBA-ja po kërkon heqjen e taksës – Albini ka të drejtë
Lexo po ashtu Grenell i drejtohet Veselit: SHBA-ja po kërkon heqjen e taksës – Albini ka të drejtë

Partia e Veselit ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar, kur ish-kryeministri Haradinaj ka marrë vendim për taksën në nëntor të vitit 2018.

Heqjen e taksës 100 për qind e ka kërkuar edhe Ambasada amerikanë në Prishtinë, ndërkaq Bashkimi Evropian ende nuk është deklaruar lidhur me këtë çështje.

Ambasada në një deklarate është shprehur se qëndrimi i presidentit Trump dhe ambasadorit Grenell mbetet i njëjtë dhe se Kosova duhet ta heqë tarifën 100 për qind, ndërsa Serbia duhet të ndalojë fushatën kundër vendit tonë.

Ambasada e SHBA: Kosova ta heqë taksën, Serbia ta ndalë fushatën kundër njohjeve
Lexo po ashtu Ambasada e SHBA: Kosova ta heqë taksën, Serbia ta ndalë fushatën kundër njohjeve

“Qëndrimi i SHBA-ve lidhur me taksën 100 për qind të Kosovës nuk ka ndryshuar. Siç tha i dërguari special Grenell së fundi, taksa duhet të hiqet dhe fushata e çnjohjeje e Serbisë duhet të ndalet”, thuhet në deklaratë.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të konsultohet me komunitetin e biznesit, para se të vendoset masa e reciprocitetit me Serbinë.

Rukiqi thotë se kjo konsultë duhet të bëhet për t’i identifikuar kërkesat e biznesit.

Rukiqi: Kryeministri Kurti duhet të konsultohet me bizneset para vendosjes së masës së reciprocitetit
Lexo po ashtu Rukiqi: Kryeministri Kurti duhet të konsultohet me bizneset para vendosjes së masës së reciprocitetit

“Në këtë aspekt duhet të kemi një qartësi. Unë e kam dëgjuar kryeministrin që të konsultohet me komunitetin e biznesit. I bëjë thirrje kryeministrit që bëjë konsulta që të mund t’i identifikojmë qartë kërkesat”, ka thënë Rukiqi.

Kujtojmë se në fund të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn, u ka vënë taksë 100 për qind importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kjo ka bërë që të ndërpritet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/