eksperti-banner

Kosova vazhdon të blejë shumë më tepër produkte nga jashtë se sa të shesë të vetat në tregjet e huaja. Nga të dhënat e Doganës së Kosovës gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 2.9 miliardë eurosh, ndërsa ka eksportuar vetëm 419.2 milionë euro.

Kjo do të thotë se Kosova shpenzoi 2.5 miliardë euro më shumë për blerje nga jashtë se sa fitoi nga shitja e produkteve të veta jashtë kufijve.


Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet janë rritur për rreth 150 milionë euro. Ndërkaq, në raport me vitin 2024, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliardi euro më shumë mallra.

Ekonomisti Ismet Mulaj vlerëson se rritja e importeve është rezultat i mungesës së reformave strukturore ekonomike, rritjes së konsumit dhe dobësisë së prodhimit vendor.

“Janë shumë faktorë. E para është mungesa për një kohë të gjatë e reformave strukturore ekonomike. Së dyti, rritja e konsumit, paratë që janë shpërndarë nga Qeveria e Kosovës për rritjen e pensioneve, pagave dhe këtyre ndihmave sociale që janë, sidomos këtyre, domethënë dy zgjedhjeve të fundit që kanë ndodhur. Edhe ardhja e remitencave nga diaspora ka rritur konsumin shumë. Si pasojë e rritjes së konsumit, natyrisht që është rritur edhe inflacioni, edhe prodhimi vendor nuk është shumë konkurrues në raport me produktet që vijnë nga importi.”, tha Mulaj për KosovaPress.

Edhe ekonomisti Lulzim Beqiri e konsideron vitin 2026 si një nga periudhat më shqetësuese sa i përket varësisë së Kosovës nga importet.

Ai për KosovaPress thotë se varësia e importit në Kosovë bën që çdo krizë globale të jetë shqetësuese për vendin për shkak të mosinvestimit të mjaftueshëm në aspektin e rritjes së prodhimit vendas.

“Unë konsideroj si ekonomist që një shtet i cili nuk ka prodhim të duhur, atëherë kjo hyn edhe në fushën e sigurisë kombëtare. Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës në vend që të angazhohen për poste politike, do të duhej që të investojnë në prodhimtari, jo vetëm në aspektin deklarativ siç ka qenë deklaratat e fundit të kryeministrit Kurti, por të investohet realisht dhe të ulet mundësia e blerjes, e importit, e parave jashtë shtetit pa arsye të duhur. Importi në krahasim me eksportet janë shtatë herë më të larta”, deklaroi Beqiri.

Duke pohuar se eksportet e Kosovës e mbulojnë vetëm 15% - 20% të importit, Beqiri këtë e sheh si jashtëzakonisht shqëtësuese.

“Kosova nuk po arrin që të gjejë një rrugë të duhur në mënyrë që t'i eksportojë produktet e veta, përveç disave që tashmë janë në treg janë po thuajse jashtëzakonisht të mira në arenën ndërkombëtare siç është Frutexi edhe kompanitë e tjera të cilat merren me çështjen e perimeve. Prandaj konsideroj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që institucionet të rrisin edhe kapacitetin e eksportimit të produkteve të Kosovës në arenën ndërkombëtare duke përdorur diplomacinë ekonomike, gjë që në pesë vitet e fundit po thuajse ka qenë einegzi- inekzistente”, tha ai.

Në prezantimin e raportit të 100 ditëve pune Minstrja në detyrë Kusari Lila, javë më parë pranoi rritjen e deficitit tregtar, duke shtuar se kjo paraqet presion shtesë për institucionet që të punojnë më shumë në promovimin e prodhimit vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tij.

“Por, çka është shumë e rëndësishme për ne, është fokusi i rritjes së zëvendësimit të mallrave të importuara në përgjithësi, ndërsa fokusi i uljes së deficitit tregtar, që po pajtohem është i lartë, dhe ne na jep një presion dhe një shtytje të veçantë fakti që duhet të punojmë më tepër për promovimin edhe të prodhimit vendor, edhe të zëvendësimit të mallrave të importuara.Ndërsa hapi i parë dhe më i shpejtë me të cilin jemi duke bërë analizat që mund të zëvendësojnë produktet e importuara, ka të bëjë me të gjitha kontratat në prokurimin publik. Është e domethënë, do të ishte e tepruar sikur përmes kontratave në prokurimin publik, para prodhimeve vendore t'u jepet përparësi prodhimeve të tjera të importuara apo shërbimeve. Por me këtë duhet në të gjithë spektrin e ndihmës për prodhuesit vendorë, duke filluar nga rritja e cilësisë, konkurrueshmëria në çmime e masa të tjera”, tha ajo.

Krahasuar me vitet e kaluara, edhe eksportet kanë shënuar rritje, por ritmi i rritjes së importeve ka qenë dukshëm më i lartë. Në periudhën janar–maj 2025, Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 2.75 miliardë eurosh dhe eksportuar 356.8 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.39 miliardë euro.

Një vit më herët, në pesëmujorin e parë të vitit 2024, importet arrinin në 2.38 miliardë euro, eksportet në rreth 352 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.03 miliardë euro.

Krahasimi i vlerës së mallrave të importuara dhe të eksportuara 2024 – 2025.

Në këtë rritje të importit për këtë vit, sipas tij, ka ndikuar edhe rritja së kostos së energjisë elektrike në sektorin prodhues, si dhe varësia e vendit nga importi i karburanteve.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Gjermania renditet e para nga shtetet që ka vlerë më të madhe të importit në Kosovë duke u pasuar me Kinën dhe Turqinë.

10 vendet kryesore të origjinës së importeve

Sipas këtyre të dhënave, Serbia ende mbetet në mesin e dhjetëshës së parë të shteteve që importojnë më së shumti në Kosovë. Në krahasim me pesëmujorin e vitit 2025 vlera e importit ka treguar rritje nga 91.1 milionë euro në 91.6 milionë euro sa është në të njëjtën përiudhë të këtij viti. Këtë e konfirmin edhe ministrja në detyrë, Kusa – Lila, ani se në informatat që i posedon, Serbia është jashtë 10-shes së parë të shteteve importuese në Kosovë.

“Gjithësisht, në totalin e importeve të përgjithshme të Republikës së Kosovës, Serbia, nëse nuk gaboj, nuk është as në 10-shen e parë. Në krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka pasur një rritje të lehtë, megjithatë ajo ka të bëjë për shkak të disa specifikave me materialin ndërtimor dhe problemeve që janë shfaqur brenda këtu në Kosovë, me të cilat jemi duke u marrë intensivisht në raport me disa industri. Por, në përgjithësi, konsumi i mallrave të përgjithshëm nga Serbia nuk është në rritje dhe ky është lajm pozitiv”, tha ajo.

Edhe ekonomisti Mulaj tha se kjo gjë ndodh për shkak se disa prej këtyre produkteve janë më konkurruese falë subvencioneve.

Sipast tij ndikon edhe afërsia gjeografike dhe çmimet, por edhe në atë se Serbia investon vazhdimisht në promovimin e produkteve të saj në tregun kosovar.

“Ka shumë domethënë, një pjesë e bizneseve edhe qytetarëve ende furnizohen nga Serbia. Kjo domethënë është, si të thuhet qytetarët serbë, që furnizohen drejtpërdrejtë nga Serbia, por edhe një pjesë e produkteve që prodhohen në Serbi, që i dedikohen tregut të Kosovës, janë të subvencionuara për të hyrë në tregun e Kosovës... Faktori i tretë, që është se Serbia investon shumë që të jetë prezente me produktet serbe në Kosovë. Domethënë, ka një buxhet të jashtëzakonshme që e ndan për biznesin vendas edhe promovon shumë biznesin domethënë që të eksportojnë në Kosovë”, deklaroi ai.

Ai thotë se nga Qeveria e Kosovës duhet një qasje strategjike me qëllim që në ata sektorë ku Serbia ka potencial të madh për të depërtuar në Kosovë, duhet që të rriten kapacitete vendase prodhuese.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet sidomos në serktorët e ndërtimit aty ku ka më shumë import e që edhe Serbia është shumë e fuqishme në raport me vendet e tjera dhe me prodhimin vendor.

“E para do të duhej një analizë e thellë, jo vetëm e digasterit qeveritar, e qeverisë dhe ministrive në veçanti, por edhe asociacioneve, odave ekonomike, edhe ekspertëve të ndryshëm me qëllim që si të thuhet të bëhet një analizë e thelluar edhe të hetohen ku janë ato probleme të cilat po na i shkakton Serbia me ekonominë e Kosovës. Cilat janë ato produkte që mund të zëvendësohen e që sot importohen nga Serbia? Edhe cilat grante, në cilat domethënë në cilin sektor do të duhen grantet e Kosovës të orientoheshin me qëllim që të rritej prodhimi vendor edhe të zëvendësoheshin ato produkte. Prandaj është shumë, ajo qasja duhet të jetë shumë dimensionale. Nuk mund të, nuk ka shkop magjik. Duhet, domethënë është strategji afatgjatë por me hapa konkretë. Domethënë, sot bëhet ky hap, nesër ai hapi tjetër edhe kështu me radhë”, tha ai.