Mbrojtësi i Arsenalit, William Saliba, është në dyshim të madh për paraqitjen në Kupën e Botës 2026, pasi ka pësuar një lëndim në shpinë.

Sipas raportimeve, reprezentuesi francez do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara mjekësore këtë të hënë (1 qershor) për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.


Shqetësimet e para sugjerojnë se ai mund të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të gjatë, çka do ta vinte seriozisht në rrezik pjesëmarrjen e tij në turneun më të madh të futbollit.

Një mungesë e Salibas do të ishte një goditje e rëndë si për lojtarin, ashtu edhe për Kombëtaren e Francës.

“Gjelat” konsiderohen ndër favoritët kryesorë për triumfin në Kupën e Botës dhe mbështeten shumë në cilësitë e mbrojtësit të Arsenalit në repartin defensiv të drejtuar nga Didier Deschamps.

Saliba zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Arsenalin, duke luajtur në 50 nga 63 ndeshjet e ekipit në të gjitha garat.

Ai ishte një nga figurat kyçe në suksesin e “Topçinjve” në Ligën Premier, si dhe në rrugëtimin drejt finales së Ligës së Kampionëve, ku londinezët u mposhtën nga PSG-ja pas penalltive.

Në Kupën e Botës 2026, Franca bën pjesë në Grupin I së bashku me Senegalin, Irakun dhe Norvegjinë.

Situata e Salibas pritet të qartësohet pas rezultateve të kontrolleve mjekësore në ditët në vijim. /Telegrafi/

telegrafi sport app