Ylli i Arsenalit konfirmon tërheqjen nga kombëtarja pasi Danimarka nuk u kualifikua në Botëror

Christian Norgaard i ka dhënë fund karrierës së tij me Kombëtaren e Danimarkës, duke konfirmuar pensionimin pas dështimit të danezëve për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, pas humbjes ndaj Republikës Çeke në ndeshjen e balotazhit, pas ekzekutimit të penalltive në muajin mars.
Mesfushori i Arsenalit e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në Instagram, duke theksuar se dëshiron t’i përkushtohet më shumë familjes, si dhe t’u hapë rrugë talenteve të reja të Kombëtares së Danimarkës.

“Kam vendosur të tërhiqem nga kombëtarja. Nga njëra anë ka qenë një vendim i vështirë, sepse pothuajse nuk ka asgjë që e dua më shumë sesa të bashkohem me bashkëlojtarët dhe stafin në Marienlyst. Nga ana tjetër, ka qenë një vendim i lehtë, sepse dua të kem më shumë kohë për familjen time dhe, pas mungesës së kualifikimit në Kupën e Botës, më duket momenti i duhur për t’u lënë vend talenteve të rinj, që fatmirësisht Danimarka vazhdon t’i ketë me bollëk”, shkroi ai.
32-vjeçari e mbyll aventurën me përfaqësuesen daneze me 41 paraqitje dhe dy gola, duke qenë një nga lojtarët kryesorë të trajnerit Brian Riemer.
Norgaard iu bashkua Arsenalit verën e kaluar nga Brentfordi për shumën e 11.6 milionë eurove, por këtë sezon ka pasur hapësira të kufizuara.

Ai ka regjistruar vetëm 19 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa në kampionatin anglez ka luajtur vetëm 56 minuta.
Kontrata e tij me klubin londinez është e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër, megjithatë një largim gjatë verës nuk përjashtohet për shkak të mungesës së minutazhit. /Telegrafi/





















































