FIFA po synon të parandalojë abuzimet dhe vonesat në ndeshje përmes rregullave të reja, ndërsa një prej tyre lidhet drejtpërdrejt me procedurën e zëvendësimeve.

Kombëtarja e Islandës e përjetoi këtë rregull në mënyrë konkrete në një miqësore ndaj Japonisë, ku u detyrua të luajë për një periudhë të shkurtër me një lojtar më pak.


Në këtë ndeshje, futbollisti islandez Kristijan Hlynsson vonoi daljen nga fusha, duke shkelur rregullin sipas të cilit lojtari i zëvendësuar duhet të largohet brenda 10 sekondash. Si ndëshkim, gjyqtari nuk e lejoi zëvendësuesin e tij të hynte menjëherë në lojë.

Si pasojë, Islanda luajti me 10 lojtarë për 60 sekonda, dhe pikërisht gjatë kësaj epërsie numerike Japonia shënoi golin e vetëm të takimit. Koki Ogawa realizoi pas asistimit të Yukinari Sugawara, duke vendosur rezultatin përfundimtar.


FIFA pritet të vazhdojë me ndryshime të tjera që synojnë ta rrisin ritmin e lojës dhe ta ulin humbjen e kohës. Pas vendosjes së rregullit për posedimin maksimal prej tetë sekondash, parashihen edhe masa të reja me numërim mbrapsht për situata të tjera si goditjet nga porta dhe rivëniet anësore, pra nëse vonohen tej mase, posedimi mund t’i kalojë kundërshtarit.

Në të njëjtën frymë, edhe afati prej 10 sekondash do të vlejë për lojtarët që po zëvendësohen. Nëse ata nuk dalin brenda këtij afati, zëvendësuesi nuk lejohet të hyjë dhe skuadra do të duhet të luajë me një lojtar më pak deri në ndërprerjen tjetër, e cila – sipas rregullit – duhet të ndodhë pas të paktën 60 sekondash. /Telegrafi/

telegrafi sport app