Ancelotti flet pas lëndimit të Neymarit, tregon a do ta zëvendësoj me ndonjë lojtar tjetër

Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti konfirmon se Neymar Jr do të udhëtojë me ekipin në Kupën e Botës dhe pritet të rikthehet ndaj Marokut ose në ndeshjen pasuese.
Pavarësisht lëndimit që ka ngritur pikëpyetje rreth gjendjes së tij fizike, Neymar Jr do të mbetet pjesë e Kombëtares së Brazilit dhe nuk do të zëvendësohet para Kupës së Botës.
Këtë e ka konfirmuar vetë përzgjedhësi i “Seleçaos”, Carlo Ancelotti, i cili ka treguar besim të plotë se superylli brazilian do të rikthehet në kohë.
“Neymar pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë ndaj Marokut ose, në rastin më të keq, për takimin pasues”, deklaroi Ancelotti, duke qetësuar tifozët brazilianë që frikësoheshin se lëndimi mund ta linte jashtë turneut.
Tekniku italian ishte i prerë edhe sa i përket listës së lojtarëve, duke bërë të ditur se nuk do të ketë asnjë ndryshim në grupin e përzgjedhur për Botërorin. Sipas tij, vendimi është përfundimtar dhe të gjithë 26 futbollistët e ftuar do të jenë pjesë e aventurës së Brazilit.
“Nuk do të ndryshojmë askënd. Këta janë lojtarët që kemi zgjedhur dhe nuk ndryshoj planet. Të 26 lojtarët do të marrin pjesë në Kupën e Botës”, përfundoi trajneri i Brazilit.
Ky është një sinjal i fortë besimi për Neymar Jr., i cili vazhdon të mbetet figura kryesore e Brazilit dhe një nga armët më të rëndësishme të ekipit në synimin për të rikthyer trofeun më prestigjioz të futbollit botëror. /Telegrafi/












































