Muja inspekton punimet për rrënimin e objekteve në pronën e Ministrisë së Bujqësisë

Ministri në detyrë i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja sot ka vizituar nga afër punimet për rrënimin e objekteve të ndërtuara në pronën e kësaj ministrie.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Muja ka shkruar se punimet po zhvillohen me intensitet të lartë dhe në përputhje me planifikimet e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt kthimit të plotë të kësaj prone në funksion publik dhe realizimit të projekteve që do t’i shërbejnë sektorit të bujqësisë dhe qytetarëve”, ka deklaruar Muja.
Ai ka ritheksuar përkushtimin e tij për administrimin e përgjegjshëm të pronave publike, duke nënvizuar se menaxhimi i tyre duhet të bazohet në ligjshmëri dhe në interes të zhvillimit të vendit.
“Mbetem i përkushtuar që çdo pronë publike të administrohet me përgjegjësi, ligjshmëri dhe në interes të zhvillimit të vendit”, ka theksuar ministri në detyrë. /Telegrafi/










































