Ylli argjentinas do të mungojë në Kupën e Botës për shkak të një dëmtimi?

Paraqitja e Nico Paz në Kupën e Botës është vënë në dyshim për shkak të një dëmtimi në gju që e pësoi në ndeshjen e parafundit të sezonit.
Edhe pse fillimisht u mendua se ishte një problem i lehtë, dyshimet rreth seriozitetit të dëmtimit dhe kohës së rikuperimit po rritin shqetësimet te kombëtarja e Argjentinës, shkruan AS.
Mesfushori vazhdon të çalojë pas dëmtimit të pësuar ndaj Hellas Veronës, çka e detyroi t’i humbë dy ndeshjet e fundit të sezonit. Optimizmi fillestar është zbehur në orët e fundit, pasi tashmë po merret në konsideratë mundësia që bëhet fjalë për një dëmtim më serioz sesa thjesht muskulor. Gjendja e tij do të vlerësohet çdo ditë, por për momentin aktivizimi i tij konsiderohet “i dyshimtë”.

Pas një viti shumë të mirë, Paz ishte parë si një prej emrave kyç në procesin e rifreskimit të skuadrës së kampionëve të botës. Një mungesë e mundshme e tij do të linte boshllëk në mesfushë, sidomos në aspektin kreativ, në një Argjentinë që tashmë po kërkon profile të reja pas largimit nga skena i Ángel Di Marías.
Opsioni Buendía
Nëse konfirmohet se Nico Paz nuk do të jetë i gatshëm për Botërorin, kandidati kryesor për ta zëvendësuar thuhet se është Emiliano Buendía.
Ai vlerësohet si një alternativë e përshtatshme, sidomos pas përfundimit të fortë të sezonit me Aston Villën, ku kontribuoi në sigurimin e kualifikimit në Ligën e Kampionëve.
Buendía është lojtar që mund të mbulojë disa role në të tretën sulmuese dhe ka treguar se di të bëjë diferencën në ndeshje me peshë.

Sipas AS, paraqitjet e tij në fund të sezonit dhe rritja e vetëbesimit mund ta bëjnë një opsion serioz për Argjentinën nëse Paz nuk rikuperohet në kohë. /Telegrafi/

































