Xhaka ua mbylli gojën kritikëve pas golit – festa në fund hedh poshtë zërat për përçarje


Granit Xhaka ka qenë sërish në qendër të vëmendjes në fitoren e Zvicrës 4-1 ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës në raundin e dytë të Grupit B në Kupën e Botës 2026, jo vetëm për golin e shënuar në fund të ndeshjes, por edhe për reagimin e tij pas tij, në një moment që ka marrë vëmendje të madhe mediatike për shkak të raportimeve mbi tensione në kampin zviceran.
Kapiteni i Zvicrës realizoi nga pika e bardhë në minutën e 98-tw, duke vulosur fitoren bindëse të skuadrës së Murat Yakin dhe duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 4-1.
Megjithatë, më shumë se vetë goli, vëmendjen e mori festa e tij: një gjest i drejtuar drejt publikut dhe më pas përqafimi me bashkëlojtarët, duke dhënë sinjal uniteti në një moment kur jashtë fushës po qarkullojnë raportime për pakënaqësi në dhomën e zhveshjes.
Sipas mediave zvicerane dhe ndërkombëtare, përfshirë raportime të fundit, është përfolur për një atmosferë të tensionuar brenda ekipit pas deklaratave kritike të Xhakës ndaj performancës së skuadrës në ndeshjen e parë të turneut.

Megjithatë, paraqitja ndaj Bosnjës dhe sidomos goli i fundit duket se kanë treguar një realitet tjetër në fushë.
Zvicra jo vetëm që dominoi ndeshjen, por edhe shfaqi kohezion të fortë në momentet vendimtare, duke shënuar tre gola në pjesën e dytë përpara se Xhaka të vuloste rezultatin nga penalltia.

Në fakt, skena e festës pas golit të tij u interpretua si një kundërpërgjigje ndaj zërave për përçarje.
Lojtarët e Zvicrës u mblodhën rreth kapitenit, duke festuar së bashku, një imazh në kontrast me raportimet për “tensione” dhe “pakënaqësi” në kampin e skuadrës.
Zvicra me këtë fitore ngjitet në krye të Grupit B me katër pikë dhe hedh një hap të madh drejt fazës eliminatore, ndërsa Xhaka, përveç kontributit në rezultat, rikthehet edhe një herë në qendër të debatit mbi rolin e tij si lider – mes kritikave dhe momenteve që në fushë flasin ndryshe nga zërat jashtë saj./Telegrafi/





































