Xabi Alonso nis “spastrimin” te Chelsea, gjashtë lojtarë drejt largimit

Trajneri i ri i Chelseat, Xabi Alonso, ka nisur menjëherë punën për rindërtimin e skuadrës londineze dhe pritet të largojë të paktën gjashtë futbollistë nga organika aktuale.
Tekniku bask, i cili mori drejtimin e “Bluve”, synon të ndërtojë një ekip që përshtatet plotësisht me filozofinë dhe stilin e tij të lojës.
Pas sezoneve zhgënjyese dhe mungesës së stabilitetit, Alonso duket i vendosur të bëjë ndryshime të thella në skuadër.

Gjashtë lojtarë nuk kanë bindur trajnerin spanjoll dhe janë vendosur në listën e transferimeve.
Bëhet fjalë për portierin Filip Jorgensen, mbrojtësit Tosin Adarabioyo, Benoit Badiashile dhe Axel Disasi, si dhe sulmuesit Alejandro Garnacho e Liam Delap.
Largimi i këtyre futbollistëve do t’i shërbente Chelseat për të ulur ndjeshëm faturën e pagave, por edhe për të krijuar hapësira për afrimet e reja gjatë afatit kalimtar verore.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit e Chelseat i kanë dhënë mbështetje të plotë projektit të ri të Alonsos, duke i garantuar një buxhet të konsiderueshëm për përforcime.
Trajneri spanjoll besohet se kërkon lojtarë me intensitet të lartë, disiplinë taktike dhe fleksibilitet në skema, elemente që i konsideron thelbësore për rikthimin e skuadrës në garën për titull në Ligën Premier dhe në arenën evropiane.
Ndërkohë, afati kalimtar i verës pritet të jetë një nga më të nxehtat për klubin londinez, me disa emra të mëdhenj që tashmë po lidhen me një transferim të mundshëm në “Stamford Bridge”. /Telegrafi/

















































