Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë ngushtë me Kosovën për ta transformuar rolin e saj në fushën e sigurisë, nga një vend që e konsumon atë në një shtet që e prodhon dhe e eksporton, ndërsa merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet.

Kështu është shprehur Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, në një opinion të publikuar për KosovaPress, me rastin e 27-vjetorit të ndërhyrjes së NATO në Kosovë në vitin 1999.


Whitaker rikujtoi ndërhyrjen e NATO-s si një moment vendimtar për ndalimin e katastrofës humanitare dhe vendosjen e themeleve të paqes në Kosovë.

Ai theksoi se që nga ajo kohë, misioni i KFOR është shndërruar në një nga institucionet më të besueshme në vend, duke kontribuar në stabilitet, mbrojtje të civilëve dhe krijimin e hapësirës për zhvillim demokratik.

Sipas tij, sot fokusi është zhvendosur drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vetë Kosovës.

"SHBA-të mbështesin transformimin e Forca e Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale shumëetnike nën kontroll civil, duke e konsideruar këtë hap të rëndësishëm për konsolidimin e institucioneve të sigurisë".

Ai veçoi rritjen e shpenzimeve të Kosovës për mbrojtjen, si dhe pjesëmarrjen në ushtrime të përbashkëta me SHBA-në dhe aleatët e NATO-s, përfshirë “Defender Europe 25”, si dëshmi të rritjes së gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë.

Po ashtu, programi i Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Ajovës u cilësua si shembull i bashkëpunimit afatgjatë dhe praktik.

Në planin ndërkombëtar, Whitaker vlerësoi pjesëmarrjen e Kosovës në misione dhe iniciativa për paqe e siguri, duke e konsideruar atë si një tregues të gatishmërisë për të kontribuar në stabilitetin rajonal dhe global.

Në përmbyllje, ai ritheksoi përkushtimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës qëndron në integrimin më të thellë ndërkombëtar dhe bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n.

Megjithatë, ai shtoi se Kosova duhet të adresojë edhe sfidat e brendshme, veçanërisht garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet dhe përparimin në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.