Futbolli ka thyer izolimin në arenën ndërkombëtare në vitin 2014. Vit që ia hapi dyert kombëtares së Kosovës për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare. Faktikisht, është bërë hapi i parë drejt ndërkombëtarizimit. Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ekskluzivisht flet për gazetën kombëtare “Bota sot”, duke e vlerësuar një vit të mirë dhe që thyen izolimin, por sipas tij, duhet të punojnë për pranimin e plotë të FFK-së në mekanizmat më të lartë, UEFA dhe FIFA.

Viti 2014 ishte vit që u thye izolimi sa i përket zhvillimit të ndeshjeve miqësore të kombëtares së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Katër ndeshje, një fitore, një barazim e dy humbje. Sa tingëlloi pozitive dhe a mendoni se viti 2015 është edhe i pranimit të plotë të FFK-së në UEFA dhe FIFA?
Vokrri: Pas një pune të mundimshme dhe angazhimi të madh te të gjithëve më në fund arritëm që të shpërthejmë izolimin tonë, ndonëse jo në masën e dëshiruar, por kjo hapi një epokë të re në futbollin e Kosovës. Siç e thatë edhe ju arritëm të zhvillojmë disa ndeshje ndërkombëtare miqësore dhe patëm një rezultat të mirë. Gati shfrytëzuam të gjitha terminet e FIFA-s dhe kjo është një e arritur mjaft e mirë. Lejimi i ndeshjeve ndërkombëtare me ekipet përfaqësuese dhe me klube ka hapur një portë që ne gjithsesi po punojmë dhe do të punojmë që në vitin 2015 çështja e futbollit të Kosovës të avancohet.


Komiteti Olimpik i Kosovës u pranua me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, a i lehtësohet edhe më shumë rruga futbollit për anëtarësim në UEFA dhe FIFA?
Vokrri: Gjithsesi pranimi i KOK-ut në KON është një e arritur e mirë për sportin e Kosovës dhe për futbollin e Kosovës paraqet një adut më shumë për të kërkuar pranimin e plotë. por gjithsesi mbesin mjaft pengesa.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha që iu presin në vitin 2015?
Vokrri:
E para, mbetet të punojmë në pranimin tonë të plotë. Ky fundviti dhe fillimi i vitit 2015 do të jenë muajt e angazhimit tonë me intensitet të shtuar. Po punojmë me miqtë tanë ndërkombëtar dhe faktorët relevant vendor për të bashkërenditur veprimet dhe forcat për të punuar drejt pranimit tonë të plotë. Unë shpresoj se do të gjendet rruga e duhur për këtë gjë.

A besoni dhe shpresoni se në vitin 2015 do t’i hapet rruga edhe me ekipe të garoni në garat evropiane?
Vokrri:
Klubet edhe tash kanë të drejt për ndeshje miqësore, por pjesëmarrja në garat zyrtare evropiane do të jetë bukur e vështirë.

Pse vazhdon të mbetet edhe më tutje futbolli peng i politikës dhe a ka gisht Michel Platini (president i UEFA-s), që nuk po lejon anëtarësimin e FFK-së në UEFA?
Vokrri:
Peng i politikës mbetet sepse Kosova ende nuk e ka siguruar anëtarësimin në OKB-së, ndërsa sa i përket z. Platini, ai nuk është kundër futbollit të Kosovës vetëm se zbaton aktet normative të UEFA-s dhe ai nenin famëkeq e pengon anëtarësimin tonë në UEFA. Për këtë po punojmë që përmes rrugëve të ndryshme të mënjanohet kjo pengesë.

Nëse vazhdon kjo politikë diskriminuese nga UEFA edhe në pranverën e vitit 2015, cili do të jetë hapi më konkret i FFK-së?
Vokrri:
Siç e thashë edhe më lartë, ne jemi duke punuar me të gjithë që pengesat të mënjanohen. Gjatë këtyre ditëve unë në Zvicër kam pasur shumë takime me personalitete të fuqishme dhe me ndikim në futbollin evropian dhe botëror. Me njohës të mirë të çështjes tonë dhe çështjeve që kanë të bëjnë me pranimin tonë dhe do të punojmë edhe gjatë vitit 2015 që vërtet pranimi të ndodhë sa më parë. /Telegrafi/
 

telegrafi sport app