Mërgim Vojvoda ka regjistruar asistimin e parë me fanellën e Udineses, në fitoren 2-1 ndaj Venezias në kuadër të 1/16 së finales së Kupës së Italisë.

Dy reprezentuesit e Kosovës, Vojvoda dhe Albion Rrahmani, e nisën ndeshjen nga minuta e parë, por në fund vetëm mbrojtësi kosovar festoi kualifikimin në raundin tjetër.


Vojvoda ishte protagonist në golin e barazimit. Ai asistoi në minutën e 34-t, duke ndihmuar Udinesen të rikthehej në lojë dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1.

Mbrojtësi i Kosovës u aktivizua deri në minutën e 72-të, ndërsa Udinese më pas arriti të shënonte edhe golin e fitores për të siguruar kalimin në 1/8 e finales.

Në anën tjetër, Rrahmani ishte titullar për Venezian, por nuk arriti ta përfundonte ndeshjen. Sulmuesi kosovar u zëvendësua në minutën e 74-t për shkak të një lëndimi.

Ende nuk është bërë e ditur natyra e lëndimit të Rrahmanit, ndërsa mediat italiane nuk kanë dhënë detaje për gjendjen e tij.

Në raundin e ardhshëm të Kupës së Italisë, Udinese do të përballet me Atalantan.

Vojvoda iu bashkua Udineses gjatë afatit kalimtar të verës, pasi u largua nga Como. /Telegrafi/

telegrafi sport app