Eksperti i sigurisë ndërkombëtare dhe ekonomike, Arxhend Blakçori, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kinën si sfidën kryesore afatgjatë për sigurinë dhe interesat e tyre strategjike.

Duke folur në “Përballje Podcast”, në Telegrafi.com, Blakçori tha se ky qëndrim është reflektuar në vlerësimet e institucioneve amerikane të sigurisë dhe inteligjencës.



“Duhet të theksohet qartë se qeveria amerikane, institucionet e inteligjencës dhe institucionet e sigurisë kombëtare e kanë bërë të qartë se kërcënimi kryesor afatgjatë për Amerikën është Kina”, deklaroi Blakçori, shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, rivaliteti mes Washingtonit dhe Pekinit nuk pritet të zhvillohet vetëm në dimensionin ushtarak, por në masë të madhe edhe në ekonomi, tregti, teknologji dhe inovacion.

“Kina do të përballet në mënyrë tregtare, por edhe përmes investimeve të shtuara, qoftë në mbrojtje, qoftë në zhvillimin shkencor, teknologjik dhe në inovacion”, tha ai.


Blakçori vlerësoi se konkurrenca mes dy fuqive do të jetë afatgjatë dhe do të ndikojë edhe në mënyrën se si shtetet e tjera do të pozicionohen ekonomikisht dhe në aspektin e sigurisë.

Në “Përballje Podcast”, ai foli më gjerësisht edhe për ndryshimet në rendin global, fuqinë ekonomike të SHBA-së, rritjen e ndikimit të Kinës, rolin e Rusisë dhe implikimet që këto zhvillime mund të kenë për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor./Telegrafi/.