Lidhja Demokratike e Kosovës propozon edhe Vjosa Osmanin nëse sigurohen 66 vota, por Vetëvendosje nuk ka dhënë ende përgjigje për këtë. PDK tërhiqet dhe nuk merr pjesë fare në votim, në rast se ka seancë për zgjedhjen e presidentit. E derisa Vetëvendosje kërkon kandidatë jashtë politikës aktuale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po pret zhvillimet që të ketë qëndrim.

Ballë për ballë s’u morën vesh.


Andaj krerët e tri partive më të mëdha në parlament, çështjen e presidentit po mundohen ta zgjdhin nga distanca.

Kreu i LVV-së Albin Kurti u ka dhënë afat deri të dielën në mbrëmje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës e atij të LDK-së, Lumir Abdixhikut për të propozuar tri emra për postin e presidentit.

Përgjigjet i mori menjëhere, por i shpejtë në reagim nuk duket të jetë vetë ai.

Kjo pasi që nga Kuvendi, Abdixhiku i kërkoi nga ai që t’ia sigurojë 66 vota, për emrin e Vjosa Osmanit presidente.

“Jo nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Do të ishte mirë që të tregojë nëse i ka 66 vota për kandidat të LDK-së”, ka deklaruar Jehona Lushaku-Sadriu, shefe e GP të LDK-së.

Shkoi apo jo në Kuvend emri i Vjosa Osmanit, një gjë është e sigurt, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë në sallë.

Ky subjekt politik e konsideron se Kurti pati plotësisht qasje joserioze karshi kësaj teme.

“E kemi të mbyllur këtë çështje, nuk ka nevojë me diskutu më, sepse është çështje e mbyllyur, këshilli drejtues I PDK-së, e ka dhënë qëndrimin e tij, është organi më I lartë I partisë, ne e kemi konsideru që në këtë fazë kjo çështje është e mbyllur sepse nuk ka seriozitet në trajtimin e kësaj çështje, prandaj edhe ne nuk jemi deklaru sepse e konsiderojmë që vendi po rrëshqet drejtë zgjedhjeve të reja”, ka theksuar Blerta Deliu-Kodra, deputete e PDK-së.

Derisa Abdixhiku priste një përgjigje nga lideri i VV-së, përgjigje i shkoi përmes një postimi nga deputetja e kësaj partie, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ku la të nënkuptohet se emri i Osmanit është propozim politik.

“3 emra që janë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike – Kjo ishte oferta e re e LVV’së”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.

Pavarësisht tentimit të televizionit Dukagjini për sqarim, edhe nga Arbërie Nagavci nuk pati përgjigje gjatë së dielës.

Derisa grupi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po qëndron në pritje, duke parë nëse propozimi i LDK-së do të marrë dritën jeshile nga VV-ja, për të vendosur më pas për qëndrimin e saj./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be