Vjena ndalon kontejnerët për rroba të vjetra në rrugë

Vjena ka vendosur të ndalojë kontejnerët për rroba të vjetra në rrugët e qytetit, për të zgjidhur problemin që vitet e fundit po i zemëron gjithnjë e më shumë banorët e kryeqytetit austriak.
Problemi lidhet me shpërndarjen e rrobave nëpër trotuare, hapjen me forcë të kontejnerëve dhe grumbullimin e mbeturinave. Ndalimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Vendimi do të paraqitet sot para deputetëve në parlamentin e Vjenës, pasi trajtohet përmes ndryshimeve në Ligjin për tarifat e përdorimit të hapësirave publike. Autoritetet e qytetit thonë se qëllimi kryesor është mbrojtja e hapësirës publike dhe ulja e rrëmujës që është bërë e përditshme në shumë pjesë të qytetit.
Pamjet e rrobave të hedhura rreth kontejnerëve janë bërë të zakonshme për banorët e Vjenës. Sipas administratës së qytetit, kontejnerët e kompanive private shpesh hapen me forcë, ndërsa personat që kërkojnë rroba me vlerë lënë pjesën tjetër në rrugë.
Kjo situatë krijon mbeturina, papastërti dhe kushte për shfaqjen e brejtësve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, përmes aplikacionit “Sag’s Wien”, janë regjistruar afro 800 ankesa, ndërsa këtë vit tashmë mbi 340 raste.
Aktualisht në hapësirat publike të Vjenës ndodhen 2.280 kontejnerë për grumbullimin e rrobave të vjetra, kryesisht pranë qendrave të riciklimit. Megjithatë, qyteti nuk do ta ndalojë plotësisht grumbullimin e tekstilit. Kontejnerët do të lejohen në prona private, ndërsa qytetarët do të mund t’i dorëzojnë rrobat në qendra riciklimi, organizata humanitare dhe dyqane të specializuara të dorës së dytë.
Autoritetet theksojnë se problem mbetet edhe cilësia gjithnjë e më e dobët e tekstilit të hedhur, për shkak të zgjerimit të industrisë së “fast fashion”. Sipas tyre, një pjesë e madhe e rrobave të grumbulluara nuk mund të ripërdoret apo riciklohet. /Telegrafi/












































