LAJMI I FUNDIT:

Viti kur Lorik Cana i tha lamtumirë futbollit – lojtari më i madh që e ka veshur fanellën e Kombëtares (Foto/Video)

Viti kur Lorik Cana i tha lamtumirë futbollit – lojtari më i madh që e ka veshur fanellën e Kombëtares (Foto/Video)
GENOA, ITALY - NOVEMBER 18: Fans of Albania and Lorik Cana #5 during the International Friendly match between Italy and Albania at Luigi Ferraris on November 18, 2014 in Genoa, Italy. (Photo by Claudio Villa/Getty Images)

Kur përmendet emri Lorik Cana, padyshim që çdo kujt i shkon mendja te Kombëtarja shqiptare. Një lidhje e natyrshme, por që është ndërtuar ndër vite, falë dashurisë, sakrificës dhe angazhimit të madh të kapitenit legjendar për këto ngjyra.

Loriku ka qenë gjithmonë i admiruari i tifozëve të Kombëtares Kuqezi dhe i shumë futbollistëve shqiptarë. Gjatë kohës sa luajti, arriti ta plotësojë ëndrrën e tij dhe të gjithë shqiptarëve me pjesëmarrjen historike në Kampionatin Evropian, ‘Euro 2016’.

Tashmë ai i ka dhënë fund karrierës si futbollist, por ka mbetur në zemrat e çdo shqiptari dhe nuk do të largohet asnjëherë. Sa herë që do të përmendet Lorik Cana, do të kujtohet gjithmonë ‘numri 5’ ikonik i Shqipërisë.

Kombëtarja e Shqipërisë

(Foto: Getty Images)

Karriera e Lorik Canës me Kombëtaren shqiptare nisi në vitin 2003. Mund të luante për Shqipërinë, Zvicrën ose Francën, sepse i posedonte të tre pasaportat. Mirëpo, zgjedhja e tij ishte të veshte fanellën e Kuqezinjve dhe me një ftesë të trajnerit Hans-Peter Briegel iu bashkua skuadrës.

Debutimi i tij me përfaqësuesen ndodhi më 11 qershor 2003 si 19 vjeçar. Ai u inkuadrua si zëvendësues në ndeshjen kualifikuese të ‘Euro 2004’ ndaj Zvicrës. Në mungesë të Geri Çipit në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2006, Loriku u angazhua si qendërmbrojtës dhe ishte i rregullt në drejtimin e Hans-Peter Briegel. Golin e parë me Shqipërinë e shënoi kundër Azerbajxhanit në stadiumin “Qemal Stafa”.

Nën drejtimin e përzgjedhësit Otto Baric, së bashku me Altin Lalën, Cana u angazhua si mesfushor defensiv. Gjatë kualifikimeve për ‘Euro 2008’, e mori kartonin e parë të kuq me Kombëtaren (në shtator 2007) në ndeshjen kundër Holandës. Si pasojë e atij kartoni, mungoi në dy ndeshjet e radhës.

(Foto: Getty Images)

Cana vazhdoi të ishte startues për Shqipërinë edhe gjatë kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2010, kur fillimisht luajti si mesfushor defensiv, kurse më vonë luante si qendërmbrojtës krahas Debatik Currit.

Në ndeshjen e 25 majit 2010 kundër Malit të Zi, Loriku ishte për herë të parë kapiten i Shqipërisë. Ndeshja e parë garuese si kapiten për të, ishte më 8 tetor 2010 kundër Bosnje e Hercegovinës e vlefshme për kualifikimet e ‘Euro 2012’. Pas pensionimit të Altin Lalës dhe Ervin Skelës, Cana u bë kapiten i rregullt i Shqipërisë.

(Foto: Getty Images)

Shqipëria u bë kundërshtar më i rrezikshëm gjatë kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2014 nën drejtimin e Gianni De Biasit. Me Canën kapiten, Kombëtarja pati disa momente të mira, mirëpo ra në formë dhe përfundoi në vend të pestë në grup me 11 pikë. Loriku u përfshi në 11 lojtarët më të mirë që nuk u kualifikuan për fazat finale të Kampionatit Botëror.


“Kam pasur fatin të luaj me Lorikun edhe në Kombëtare edhe në klub te Nantes. Ka qenë një lider i jashtëzakonshëm, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Është një ikonë e Kombëtares dhe ndihem i lumtur dhe i nderuar që kam luajtur përkrah tij”, janë fjalët e Ermir Lenjanit për Canën thënë Telegrafit.


Fushata kualifikuese për ‘Euro 2016’ e Canës nisi me fitoren historike të Shqipërisë në udhëtim te Portugalia. Në këtë periudhë, Cana tejkaloi rekordin e Altin Lalës si lojtari me më së shumti paraqitje (80 sosh) për përfaqësuesen në ndeshjen miqësore kundër Francës më 14 nëntor 2014 që përfundoi me rezultat 1-1.

Në ndeshjen e fundit kualifikuese kundër Armenisë, Shqipëria kishte vetëm një mënyrë që ta siguronte kualifikimin e drejtpërdrejtë – dhe kjo ishte fitorja në Stadiumin Republikan Vazgen Sargsyan. Cana bëri një paraqitje mbresëlënëse në fitoren prej 3-0 dhe Kuqezinjtë zunë vendin e dytë në Grupin I dhe siguruan pjesëmarrjen në ‘Euro 2016’ – ky ishte kualifikimi i parë i Shqipërisë në një turne të madh futbolli.

(Foto: Getty Images)

Loriku u përfshi në skuadrën që do të luante në Kampionatin Evropian që u zhvillua në Francë. Ai ishte kapiten i skuadrës në ndeshjen e parë të Grupit A kundër Zvicrës, ku u ndëshkua me karton të kuq. Ai u kthye si zëvendësues në ndeshjen kundër Rumanisë, të cilën Shqipëria e fitoi me golin e Armando Sadiku. Në ‘Euro 2016’, Kombëtarja zuri vendin e tretë në grup me tri pikë dhe golaverazh -2, dhe u rendit e fundit nga skuadrat e vendeve të treta, që do të thoshte eliminim.

Rekordet

(Foto: Getty Images)

Lorik Cana është futbollisti me më së shumti paraqitje për Kombëtaren e Shqipërisë, me 93 ndeshje të zhvilluara.

Ai po ashtu mban rekordet për më së shumti paraqitje të një futbollisti shqiptar në kualifikimet për Kampionate Botërore, së bashku me Ervin Skelën (me 28).

Ka më së shumti paraqitje në kualifikime dhe fazat finale të Kampionateve Evropiane, në total 29 paraqitje.

Cana është lojtari që ka qenë kapiten i Shqipërisë në më së shumti ndeshje, 41 sosh.

Njëherësh, e mban edhe rekordin më të keq disiplinor për Shqipërinë, me 26 kartonë të verdhë dhe dy të kuq.

Arsyeja e largimit nga futbolli

(Foto: Getty Images)

“Praktikimi i futbollit në nivele kaq të larta ishte kthyer në një profesion të rrezikshëm për mua. Kisha disa probleme shëndetësore, të cilat nuk po i kapërceja dot me kalimin e kohës. Përpara dhe pas Evropianit në Francë, kam kryer disa analiza specifike, të cilat treguan se nuk isha edhe aq mirë”.

“Vuaj nga një sëmundje që quhet miokardit. Është në vijimësi të një virusi të marrë më parë. Kam pasur ethe të forta dhe jam sfilitur nga sëmundja për sa i përket anës fizike. Virusi ka prekur miokardin dhe më ka provokuar një skuqje. Pas kontrolleve të specializuara, arrita të diagnostikohesha”, kishte treguar Cana në një rrëfim për L’Equipe.

(Foto: Getty Images)

“Gjatë një kontrolli më të thellë në testet fizike, u vu re një çrregullim i ritmit të zemrës që unë e kisha prej vitesh dhe në atë kohë ishte nën kontroll. Pasi bëmë disa kontrolle të mëtejshme, më thanë se gjendja ishte më serioze se sa ka qenë dhe nuk po përmirësohej”.


“Loriku, përveç një zotëri që ka qenë në fushë, është i tillë edhe jashtë fushe. Kam qenë me fat që kam luajtur si në ekip ashtu edhe me kombëtaren. Diferenca e tij nga të tjerët është se gjithmonë është në dispozicionin tuaj, një lider”, janë fjalët e Etrit Berishës thënë Telegrafit për kapitenin legjendar.


“Lajmin e kam marrë po atë ditë kur KAS-i vendosi të na japë tri pikë për ngjarjen e Beogradit dhe provova dy ndjesi brenda momentit. Nga njëra anë mora një lajm të gëzueshëm, sepse ne e meritonim të merrnim pjesë në Evropian dhe nga ana tjetër mora një lajm që më thoshte të mos vazhdoj më të luaj”.

“Monica ishte shtatzënë në atë kohë dhe isha vetëm me babin në Katar. Përballë një lajmi si ky pritëm të merrnim disa mendime të ndryshme mjekësh dhe të gjithë patën të njëjtën ide, më mirë mos të vazhdoja të rrezikoja”.

(Foto: Getty Images)

“Kërkesa e parë e Monicas dhe e familjarëve të mi ishte që të mos e vazhdoja e mos merrja përsipër rreziqe. Më pas i kërkova mjekëve që të më jepnin të paktën edhe një vit garanci, por që do të qëndroja në ndjekje të vazhdueshme të tyre. Që të kisha dhe unë mundësi që të luaja me Shqipërinë për të marrë pjesë në Evropian”, ka treguar futbollisti në një intervistë televizive që u transmetua nga TCH.

Dita e pensionimit

Kapiteni legjendar i dha fund karrierës së tij para tifozëve shqiptarë të mbledhur në Elbasan Arena, para ndeshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë më 9 tetor 2017. Në stadiumin e stërmbushur u paraqit në fushë Cana, kapiteni i cili ka më së shumti paraqitje në fanellën e kombëtares.

Loriku u shfaq në fushë me djalin e tij, me ç’rast nuk iu përmbajt emocioneve dhe lotëve, teksa iu falënderua të gjithë shqiptarëve.

“Një falënderim të madh për gjithë këto vite”, ishin fjalët e tij para të pranishmëve.

Më pas tifozët shpalosën një flamur të madh me fjalët “Cana përgjithmonë”, pas të cilit ai edhe e goditi topin në drejtim të tifozëve sërish në shenjë falënderimi.

Ndeshja në Beograd që u shoqërua me dhunë

Kapiteni legjendar ishte i pranishëm në fushë në ndeshjen historike Serbi-Shqipëri, e cila ishte e vlefshme për kualifikimet për ‘Euro 2016’ që u zhvillua më 14 tetor 2014 në stadiumin e Partizanit në Beograd.

Takimi ishte ndërprerë pas hedhjes së flakadanëve dhe objekteve të tjera në fushë nga ana e tifozëve serbë. Pastaj, ishte futur një dron që mbante një flamur me simbole patriotike shqiptare (fotografi të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, harta e Shqipërisë etnike me në qendër shqiponjën e Skënderbeut dhe mbishkrimi ‘Autochthonous’).

Pas kapjes së atij flamuri nga Stefan Mitrovic, lojtarët shqiptarë reaguan për t’ia marrë dhe pastaj hynë në fushë tifozët serbë, të cilët filluan të godisnin futbollistët kuqezinj, të ndihmuar edhe nga kujdestarët e stadiumit.

Në ndërkohë, Loriku me shokë në vetëmbrojtje u përleshën me tifozët, derisa kapiteni nuk hezitoi ta godiste me grushte njërin prej tyre në përpjekje që ta mbronte një lojtar shqiptar. Gjatë pjesëmarrjes në një emision televiziv, ai ishte pyetur nëse ishte penduar për goditjen që i bëri njërit prej tifozëve serbë që kishin hyrë në fushë.

“Me të vërtetë ishte një skenë joreale kur shihnim dhunë brenda fushës, të gjithë ne kemi reaguar në mënyrë spontane. Dhe gjërat që bëhen në mënyrë spontane, nëse njeriu i ka vlerat e mira ose qëllimet e mira, nuk pendohet”, kanë qenë fjalët e tij.

Karriera në klube

(Foto: Getty Images)

Dardania Lausanne

Në vitin 1997, Cana iu bashkua Dardania Lausanne, një klub amator i themeluar nga komuniteti shqiptar në Lausanne, ndërsa drejtohej nga babai i tij. Atje luajti deri në vitin 2000, kur tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve të Paris Saint-Germainit dhe nënshkroi për klubin francez.

Paris Saint-Germain

(Foto: Getty Images)

Si 16-vjeçar, Loriku ishte provuar te Arsenali, mirëpo i ishte mohuar viza britanike, ashtu që nuk mundi ta vazhdonte karrierën te Topçinjtë. Nga kjo situatë përfitoi PSG-ja dhe e ftoi për provë njëjavore. Trajneri i rezervistëve te Parisi, Antoine Kombouare, e pëlqeu futbollistin shqiptar dhe atij iu ofrua kontrata. Cana i kaloi tre vjet duke u stërvitur me ekipet e të rinjve dhe ekipin B.

Në vitin 2003, ai u ftua në stërvitje nga trajneri i ekipit të parë, Luis Fernandez dhe kah fundi i sezonit, më 19 prill, debutoi për ekipin e parë kundër Nantes duke luajtur 90 minuta të plota, ndërsa asistoi në golin e vetëm që e shënoi skuadra e tij në barazimin prej 1-1.

(Foto: Getty Images)

Në sezonin pasues (2003/2004), lojtari siguroi vendin e startuesit nën drejtimin e Vahid Halilhodzic, ndërsa shoqërohej nga një tjetër mesfushor i ri defensiv, Modeste M’bami. Përkundër mungesës së përvojës, ata ishin shumë të rëndësishëm gjatë gjithë sezonit, në të cilin Loriku zhvilloi 32 ndeshje dhe shënoi një gol në Kupën e Francës. Në edicionin 2004/2005, ai po ashtu zhvilloi 32 ndeshje dhe shënoi një gol për Paris.

Olympique de Marseille

(Foto: Getty Images)

Në fillim të sezonit 2005/2006 te PSG u ndërrua trajneri dhe Cana nuk ishte më i preferuar, ashtu që vendosi të kalonte te Marseille. Atje u bë lojtar shumë i rëndësishëm, ndërsa e shënoi golin e fitores në ndeshjen kundër ish-klubit të tij, PSG. Në edicionin e tij të parë të OM, ai regjistroi plot 43 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa luajti edhe në finale të Kupës së Francës, ku humbi pikërisht nga ish-skuadra  e tij, Paris Saint-Germain. Vendin e startuesit e ruajti edhe në sezonin 2006/2007.


“Loriku ka qenë inspirim i imi si futbollist i ri që kam qenë. Më kujtohet kur kam qenë duke luajtur për grupmoshat e Norvegjisë, gjatë një ndeshjeje përballë Gjermanisë së Mario Gotzes nën fanellën e Norvegjisë e kisha të veshur një të Kombëtares me numrin 5 të Lorikut që e pata blerë në Kosovë.

“Karriera e tij ka qenë e jashtëzakonshme dhe inspirim i shumë futbollistëve për ta zgjedhur Kombëtaren. Jam me fat që kam luajtur me të në Kombëtare”, deklaron Herolind Shala për Telegrafin duke kujtuar kapitenin legjendar.


Pas largimit të Habib Beye, Cana u bë kapiten i Marseille, ndërsa luajti në të gjitha gjashtë ndeshjet e Ligës së Kampionëve në sezonin 2007/2008. OM u bë klubi i parë francez që triumfonte në Anfield kundër Liverpoolit. Sidoqoftë, Marseille e zuri vetëm vendin e tretë në grup dhe skuadra i vazhdoi garat në Kupën UEFA, ku luajti deri në të tetën e finales.

(Foto: Getty Images)

Marseille vazhdoi me ndërrimin e trajnerit edhe në sezonin 2008/2009, ndërsa Cana ishte sërish kapiten dhe më i rëndësishmi në skuadër duke zhvilluar 48  ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar tre gola dhe duke asistuar në tre të tjerë. Në këtë periudhë, ai kishte krijuar partneritet në mesfushë me futbollistë, si Mathieu Valbuena, Samir Nasri e Benoit Cheyrou.

Sunderland

(Foto: Getty Images)

Në korrik të vitit 2009, futbollisti shqiptar nënshkroi për klubin e Ligës Premier, Sunderland, ku u transferua për pesë milionë funte (5.63 milionë euro). Shumë shpejt, u bë kapiten nga trajneri Steve Bruce. Loriku debutoi në fitoren prej 1-0 kundër Bolton Wanderers duke u bërë futbollisti i parë shqiptar që luante në Ligën Premier. Gjatë sezonit 2009/2010, zhvilloi 35 ndeshje në të gjitha garat.

(Foto: Getty Images)

Galatasaray

Në korrik të vitit 2010, Cana iu bashkua Galatasarayt për 4.5 milionë euro. Ai nënshkroi kontratë katërvjeçare me dy milionë euro për sezon plus bonuset. Megjithatë, në mes të sezonit pësoi një lëndim dhe pati probleme duke mos arritur që të kishte ndikim në skuadër, përkundër se tifozët e donin.

Lazio

(Foto: Getty Images)

Në korrik të vitit 2011, futbollisti iu bashkua klubit italian, Lazio, si pjesë e transferimit të Fernando Musleras te Galatasaray. Transferimi kushtoi 800.000 euro, kontrata ishte valide deri në qershor 2016, ndërsa paga e tij ishte 1.7 milion euro për sezon. Debutimi për Biancocelestët ndodhi në qershor të atij viti në ndeshjen kundër Cesenas.


“Që nga dita e parë kur jam grumbulluar me Kombëtaren Loriku ka qenë një kapiten i vërtetë si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai na ka mirëpritur të gjithëve na ka këshilluar dhe na ka ndihmuar të sistemohemi mirë”.

“Atë e kam pasur edhe bashkëvendës nga Gjakova dhe jam i lumtur që kam pasur fatin të luaj me të. Një futbollist i madh, por mbi të gjitha një njeri i madh”, thotë Amir Abrashi për Telegrafin fjalët e tij për Canën.


Muajt e parë në Serie A u shoqëruan me probleme me lëndime, ndërsa kah fundi i sezonit ndodhi rikuperimi i lojtarit. Nën drejtimin e trajnerit Vladimir Petkovic, gjatë sezonit 2012/2013, futbollisti nisi të përshtatej më shumë si qendër mbrojtës duke u tërhequr nga roli i mesfushorit defensiv. Cana me Lazion e fituan Kupën e Italisë duke e mposhtur Romën në finale.

(Foto: Getty Images)

Gjatë pjesës së parë të sezonit 2013/2014, Cana ishte i rregullt në ekipin startues, ndërsa shënoi gol kundër Sampdorias. Mirëpo, në gjysmën e dytë të sezonit, trajneri Edy Reja nuk e shihte si startues. Megjithatë, në mars shënoi një gol të bukur kundër Fiorentinas. Kështu, sezonin e dytë në Itali e përfundoi me 32 paraqitje në të gjitha garat duke u renditur si mbrojtësi i katërt më i mirë në Serie A.

Në sezonin 2014/2015, kishte probleme me minutazh për shkak të konkurrentëve të rinj në mbrojtje, Stefan de Vrij dhe Santiago Gentiletti. Më 7 dhjetor 2014,  e zhvilloi ndeshjen e 100-të me fanellën e Lazios, megjithatë pjesën më të madhe të atij sezoni e kaloi në bankën rezervë dhe më pas u largua nga klubi.

(Foto: Getty Images)

Nantes

Pas katër sezonesh në Serie A, më 31 gusht 2015, Cana u kthye në Ligue 1 duke nënshkruar kontratë dyvjeçare me Nantes. Në takimin ndaj Monacos më 21 nëntor 2015, Loriku e regjistroi paraqitjen e 200-të në kampionatin francez. Sidoqoftë, Cana u largua nga Nantes në verën e vitit 2016.

Jeta personale

(Foto: Instagram/LorikCana)

Lorik Cana ka lindur në Prishtinë, ndërsa prindërit e tij vijnë nga Gjakova. Ai është djali i Agim Canës, një ish-futbollist i FC Prishtinës, Dinamo Zagrebit e Genclerbirligit. Që nga fëmijëria, Loriku i kishte ndjekur takimet e Prishtinës dhe e konsideron veten një tifoz të klubit kryeqytetas. Përvoja e babait të tij në futboll e kishte frymëzuar që edhe ai të ndjekë një karrierë në këtë sport.

Në vitin 1992 e gjithë familja e tij u larguan drejt Zvicrës duke u vendosur në Lausanne, ku qëndruan për nëntë vjet.

Në qershor të vitit 2014, Cana u martua me bukuroshen italiane, Monica Ercoli, me të cilën ka një djalë të quajtur Boiken.

Me baby Bosin !!! ??‍?

A post shared by Lorik Cana (@lorikcana) on Dec 11, 2017 at 3:51am PST

Në vitin 2015, Loriku ishte emëruar Ambasador Nderi i Kosovës, ndërsa në tetor 2017 u bë Ambasador i “Grassroots” për Shqipëri, program i UEFA.com për promovimin e futbollit , veçanërisht te fëmijët.

(Foto: Instagram/LorikCana)

/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
“Doja të shihja vetëm gjëra që lidhen me vdekjen, nuk është për të çmendurit”, historitë e disa yjeve botërore që kanë vuajtur nga depresioni

“Doja të shihja vetëm gjëra që lidhen me vdekjen, nuk është për të çmendurit”, historitë e disa yjeve botërore që kanë vuajtur nga depresioni

Ndërkombëtare
Zbulohet emri i vërtetë i Kylian Mbappes - ka lënë të shokuar fansat e tij

Zbulohet emri i vërtetë i Kylian Mbappes - ka lënë të shokuar fansat e tij

Ligue 1
Lojtari i Arsenalit merr një 'kontratë rekord' që nuk është parë më parë në Emirates

Lojtari i Arsenalit merr një 'kontratë rekord' që nuk është parë më parë në Emirates

Premier League
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
Liverpooli heq dorë nga Xabi Alonso, Klopp do të pasohet nga 39-vjeçari pak i njohur

Liverpooli heq dorë nga Xabi Alonso, Klopp do të pasohet nga 39-vjeçari pak i njohur

Premier League
Zviceranët e provokojnë me pyetje Shaqirin, ai i përgjigjet me fakte: Kur nuk kam qenë i gatshëm për ngjarjet e mëdha?

Zviceranët e provokojnë me pyetje Shaqirin, ai i përgjigjet me fakte: Kur nuk kam qenë i gatshëm për ngjarjet e mëdha?

Ndërkombëtare
Kalo në kategori