LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje: Është antievropiane kërkimi i ndarjes së Kosovës në vija etnike

Vetëvendosje: Është antievropiane kërkimi i ndarjes së Kosovës në vija etnike

Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se 9 maji shënon triumfin e rezistencës popullore kundër makinerisë vrasëse; të emancipimit kundër errësirës ideologjike të nazifashizmit; të popujve kundër perandorisë; të barazisë kundër shfrytëzimit.

Vetëvendosje me rastin e Ditës së Evropës përmes një njoftimi për media ka theksuar se është antievropaine që sot t’i kërkohet Kosovës ndarje e brendshme në vija etnike, pabarazi të qytetarëve sipas përkatësisë kombëtare, të dyja këto që rrjedhin nga ‘Zajednica’.


Deklarata e plotë e VV-së:

71 vite më parë, më 9 Maj 1945, në kontinentin e Evropës përfundoi lufta më e përgjakshme që kishte parë njerëzimi ndonjë herë – lufta kundër nazifashizmit.

Kjo datë shënon triumfin e rezistencës popullore kundër makinerisë vrasëse; të emancipimit kundër errësirës ideologjike të nazifashizmit; të popujve kundër perandorisë; të barazisë kundër shfrytëzimit.

5 vite më pas, po më 9 Maj 1950, u lidh marrëveshja e parë midis Gjermanisë Perëndimore dhe Francës për bashkimin e industrive të çelikut dhe thëngjillit, për të vazhduar pastaj me marrëveshje tjera ekonomike, dhe krahas kësaj zgjerimin e shteteve nënshkruese.

Bashkimi Evropian që njohim sot kështu kishte filluar, ndaj 9 Maji është sot dita e Evropës. Projekti i Evropës së bashkuar kishte parakusht barazinë midis popujve, dhe lirinë e tyre për t’u bashkuar vullnetarisht në projektin e përbashkët.

Prandaj, 9 Maji 1950 s’do të ishte i mundur pa 9 Majin e vitit 1945, ditën e fitorës kundër fashizmit.

Paqja e qëndrueshme në Evropë, sot të bashkuar por historikisht në luftë, ka në themel dy shtylla të forta: barazinë mes shteteve dhe qytetarëve të atyre shteteve; paprekshmërinë e kufijve të këtyre shteteve.

Vetëm duke e njohur njëri tjetrin në mënyrë reciproke dhe si të barabartë, dhe vetëm duke ia njohur kufijtë shtetëror si të pacenueshëm, u bë i mundur projekti për bashkëpunim reciprok mes shteteve në të mirë të të gjithëve.

Bashkimi Evropian natyrisht se ka evoluar politikisht, ekonomikisht e në aspektin social.

Por BE nuk do të ishte e njëjtë nëse do të devijonte nga parimet bazë që themelojnë vlerat politike të saj.

Këto vlera nuk duhet të jenë të zbatuara dhe të zbatueshme vetëm brenda BE-së, por edhe të promovohen jashtë saj.

Është thellësisht antievropiane që sot t’i kërkohet Kosovës ndarje e brendshme në vija etnike, pabarazi të qytetarëve sipas përkatësisë kombëtare, të dyja këto që rrjedhin nga ‘Zajednica’.

Është në kundërshtim flagrant me 9 Majin 1945 ky paqëtim, përmes koncesioneve, i politikës shoveniste të qeverisë në Beograd.

Siç është në kundërshtim flagrant me parimet bazë të Evropës së bashkuar të insistohet që Republika e Kosovës ta zbatojë Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe kështu të heq dorë nga mbi 8200 hektarë të territorit të vet.

Projekti evropian u bë model për shtetet jashtë tij, pikërisht sepse ishte sinonim i lirisë dhe të drejtave, barazisë e solidaritetit, zhvillimit e jetës së mirë.

Janë këto vlerat evropiane që duhet afirmuar përkundër erërave të këqija që sot po i fryjnë ksenofobisë, përjashtimit e ndarjeve. /Telegrafi/