LAJMI I FUNDIT:

Veteranëve nuk ju zvogëlohen pensionet

Veteranëve nuk ju zvogëlohen pensionet

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të flenë të qetë sa i përket sigurimit të pensioneve për ta.

Kështu të paktën e thotë me kompetencë, kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati. Ai për KosovaPress ka thënë se veteranët nuk kanë pse të kenë frikë për marrjen ose jo të pensioneve që u takojnë, ngase sipas ligjeve në fuqi ata me patjetër gëzojnë të drejtën e atyre të hollave.


“Ne kemi pas dy takime, ka qenë ministri Abrashi dhe Kryeministri. Ne dje për herë të parë e kemi dëgjuar këtë, jemi në kontakt, ata e din se nga ka dalë kjo fjalë. Ne nuk besojmë që do të zvogëlohen pensionet, vonesa e dimë që është por është me arsye, sepse data e përcakton 24 deri më 7, është fjala brenda 10 dite kur duhet me dalë pensionet. Këto janë vonesa që ndodhin tek ne. Për zvogëlim pensioni nuk kemi dëgjuar ende nga Qeveria”, tha Gucati.

Por, përfaqësuesi i veteranët të luftës së UÇK-së, thotë se veteranët duhet të jenë të qetë sa i përket brengës që mund të kenë për çështjen e pensioneve. Ai thotë se deri në janar buxheti për pensionet është i ndarë.

“Unë ju them veteranëve që të rrinë të qetë, mos të kenë frikë për pensione, deri në janar pensionet janë. Për vitin 2017 janë ndarë 38 milionë, Qeveria ne na ka premtuar që me rishikim e buxhetit në muajin e gjashtë, nëse bëhet, do të shkojë edhe 12 milionë që do të jenë rrugë alternative për mu bo 50 milionë, për krejt vitin ndahet buxheti”, tha Gucati për KosovaPress.

Ndërkohë ai paralajmëron se nëse do të ketë rritje pagash në ndonjë sektorë tjetër, atëherë do të jenë edhe veteranët ata që do të kërkojnë rritje të pagave, ngase ashtu është e përcaktuar me Ligj.

“Është edhe me Ligj, që nëse rriten pagat do të rriten edhe pensionet. Nëse rriten paga e punëtoreve do të rriten edhe pensionet e veteranëve. Ne kërkojmë që vetëm ligji të zbatohet”, tha Gucati.

Deklarimet e Gucatit për KosovaPress, vijnë pas të thënave të fundit në media, por pa një deklarim zyrtarë nga Qeveria, se kinse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’ia mundësoj atij që t’i zvogëloj pensionet meritore të veteranëve. Kryetari i organizatës OVL-UÇK, Hysni Gucati, i ka hedhur poshtë, duke thënë se ata janë në vazhdimësi në kontakt me Qeverinë, dhe deri tash nuk kanë pasur sinjale të këtij lloji.

KosovaPress, për të njëjtën temë, sot ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, por ai nuk ka qenë i qasshëm përmes linjës telefonike.