Vendimi që askush s’e priste, Barcelona gati të heqë dorë nga Marcus Rashford

E ardhmja e Marcus Rashford ka qenë një nga temat më të diskutuara në Barcelonë gjatë gjithë sezonit, por ndonëse në fillim ai dukej se kishte siguruar një vend në skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick, hapësirat për të janë duke u zvogëluar ndjeshëm.
Manchester United pranoi ta lejojë largimin e tij në formë huazimi, me Barcelonën që ka një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh.
Klubi anglez nuk është i gatshëm të negociojë për këtë çmim për 28-vjeçarin, i cili ka edhe dy vite kontratë në “Old Trafford”.
Që në janar u raportua se Barcelona kërkonte rinegocim të shumës, por refuzimi i United bëri që në mars të lindin dyshimet e para serioze brenda klubit katalanas për një transferim përfundimtar.

Nga ana e tij, Rashford ka shprehur dëshirën për të vazhduar qëndrimin në Barcelonë.
Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, një takim i rëndësishëm pritet të zhvillohet mes Flick dhe drejtorit sportiv Deco, ku do të diskutohet e ardhmja e sulmuesit, por aktualisht një transferim i përhershëm konsiderohet shumë pranë përjashtimit.
Brenda klubit ekziston bindja se shuma prej 30 milionë eurosh është e lartë dhe se një investim i tillë kërkon garanci më të mëdha në performancë nga lojtari.
Në 16 ndeshjet e fundit, Rashford ka realizuar vetëm dy gola, ndërsa edhe paga e tij konsiderohet faktor shtesë në hezitimin e klubit.
Paraqitjet e tij në përballjen çerekfinale kundër Atletico Madrid duket se kanë ndikuar më tej në këtë qëndrim.
Në ndeshjen e parë në “Camp Nou”, Rashford ishte ndër lojtarët më aktivë, por nuk arriti të konkretizojë tri raste të mira shënimi.
Në sfidën e kthimit, Flick vendosi të mos e aktivizojë si titullar, pavarësisht mungesës së Raphinha, ndërsa në 20 minutat që luajti nuk arriti të krijojë rrezik të madh në një moment kur skuadra kishte nevojë për një reagim vendimtar. /Telegrafi/























































