Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Mohammad Barkindo vdiq të martën në moshën 63-vjeçare, njoftoi kreu i korporatës shtetërore nigeriane të naftës NNPC.

Veterani i industrisë së naftës duhej të largohej nga posti i tij në krye të OPEC në fund të muajit pas një mandati gjashtë-vjeçar, raporton reuters.

“Ne kemi humbur doktorin tonë të nderuar Muhammad Sanusi Barkindo”, shkroi në Twitter CEO i kompanisë nigeriane, Mele Kyari, duke shtuar se Barkindo vdiq të martën mbrëma.

Vdekja e tij “është një humbje e madhe për familjen e tij, NNPC, vendin tonë Nigeri, OPEC dhe komunitetin global të energjisë”, shkroi Kyari.

Reklama

Ai shtoi se Barkindo vdiq disa orë pas takimit me presidentin nigerian, Muhammadu Buhari dhe duke folur në një samit të energjisë në Abuja. Mandati i tij në krye të OPEC-ut u shënua nga goditjet globale në industrinë e naftës dhe gazit.

Reklama

Duke folur në Abuja, Barkindo tha se industria e naftës dhe gazit ishte “nën sulm” dhe ishte ende duke u rikuperuar nga humbjet e mëdha të investimeve në vitet e fundit.

“Në një periudhë shumë të shkurtër kohore, industria u godit nga dy cikle të mëdha – një krizë serioze e tregut në 2015 dhe 2016 dhe pandemia Covid-19 me pasoja edhe më të gjera”, tha Barkindo.

Reklama

Ai e filloi karrierën në industrinë e naftës në Nigeri në fillim të viteve 1980. Ai mbajti poste të ndryshme në kompaninë shtetërore të naftës dhe përfaqësoi Nigerinë në Bordin e Komisionit Ekonomik të OPEC-ut.

Në vitin 2006, ai ishte zëvendëssekretar i përgjithshëm i OPEC-ut dhe dhjetë vjet më vonë mori drejtimin e kartelit të naftës, të cilin e drejtoi në një periudhë të trazuar për tregun e naftës, të shënuar, ndër të tjera, nga rritja e bashkëpunimit me prodhuesit e pavarur. /Telegrafi/

Reklama