Vapë dhe lagështi “mbytëse”- Botërori 2026 mund të jetë më i rrezikshmi ndonjëherë

Kupa e Botës e këtij viti mund të shoqërohet me vapë dhe lagështi të rrezikshme për lojtarët dhe tifozët në rreth një të katërtën e ndeshjeve, kanë paralajmëruar akademikët.
World Weather Attribution (WWA) thotë se analiza e saj tregon se ndryshimet klimatike i kanë rritur ndjeshëm rreziqet e temperaturave për lojtarët dhe tifozët, krahasuar me Kupën e Botës së fundit të zhvilluar në SHBA në vitin 1994.
Edhe sindikata globale e futbollistëve, FIFPRO, po kërkon masa mbrojtëse përpara turneut të kësaj vere në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Rrjeti meteorologjik dhe klimatik tha se nga 104 ndeshje që do të luhen gjatë Kupës së Botës 2026, rreth 25% e tyre ka gjasa të zhvillohen në kushte që tejkalojnë 26 gradë celsius sipas sistemit “wet bulb global temperature” (WBGT), një indeks që merr parasysh sa efektivisht trupi mund të ftohet duke kombinuar temperaturën dhe lagështinë.

Kur temperaturat kalojnë këtë prag, FIFPRO këshillon zbatimin e masave të sigurisë, si p.sh pushimi për të pirë ujë.
Dr. Friederike Otto, profesore e shkencës së klimës në Imperial College London dhe pjesë e WWA, tha se gjetjet tregojnë se “ndryshimet klimatike po kanë një ndikim real dhe të matshëm në realizueshmërinë e organizimit të Kupave të Botës gjatë verës në hemisferën veriore”.
“Kupa e Botës 1994 mund të mos duket veçanërisht e largët për shumë të rritur sot, megjithatë gjysma e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu ka ndodhur që atëherë”.

"Fakti që vetë finalja e Kupës së Botës, një nga ngjarjet sportive më të mëdha në planet, përballet me një rrezik jo të vogël që të luhet në vapë të nivelit ‘anulim i aktivitetit’, duhet të jetë një sinjal zgjimi për FIFA-n dhe tifozët”.
“Duhet theksuar nevoja urgjente për të kuptuar se nuk ka asnjë aspekt të shoqërisë që nuk ndikohet nga ndryshimet klimatike”, ka thënë Otto./Telegrafi/





















































