LAJMI I FUNDIT:

Ushtrimet që ndihmojnë të ktheheni në formë pas infektimit me COVID-19

Ushtrimet që ndihmojnë të ktheheni në formë pas infektimit me COVID-19

Infektimi me coronavirusin e ri, mund të ketë efekte negative edhe në anën tuaj fizike, shprehen mjekët. Të qëndruarit shtrirë, mund të çojë në humbje të muskujve, dëmtime neuromuskulare dhe ulje të kapacitetit aerobik. Gjithashtu një kërkim, tregoi se coronavirusi mund të shkaktojë humbje të muskujve dhe indeve në të gjithë trupin.

Kjo është arsyeja se pse studiuesit në Spitalin e Kirurgjisë Speciale në New York, këshillojnë që njerëzit e diagnostikuar me COVID-19, të fillojnë të kryejnë ushtrime fizike. Ushtrimet fizike mund të ndihmojë në forcimin e muskujve pas COVID-19, të përmirësojnë frymëmarrjen dhe lëvizshmërinë e trupit.


Ushtrimi i parë: Tërheqje e shpatullave mbrapa

Qëndroni në këmbë me kurrizin drejtë. Kujdes! Mos e harkoni pjesën e poshtme të shpinës. Tërhiqni shpatullat tuaja pas dhe ndjeni si muskujt në pjesën e sipërme të shpinës tkurren. Mbajeni pozën deri në pesë sekonda dhe pastaj me ngadalë relaksohuni. Vështirësoni ushtrimin: Vendosni krahët përpara jush në lartësinë e shpatullave. Mbani skajet e një llastiku rezistence në secilën dorë, duke kryer hapje anësore të krahëve.

Ushtrimi i dytë: Ulje dhe ngritje të krahëve

Qëndroni në këmbë me kurrizin drejtë, duke drejtuar gishtat e mëdhenj të dorës dhe forcuar krahët. Ngrini me ngadalë krahët lart dhe ulini përsëri poshtë. Bëni një pushim, dhe përsëriteni ushtrimin. Vështirësoni ushtrimin: Ju mund të mbani pesha të lehta në secilën dorë. Filloni me një ose dy kilogram, do të jetë më sfiduese nga sa mendoni!

Ushtrimi i tretë: Ulje dhe ngritje e këmbëve

Shtrihuni me kurriz në dysheme ose në një sipërfaqe tjetër të fortë. Përkulni njërën këmbë dhe shtrini këmbën tjetër drejtë, shkruan AgroWeb. Kontraktoni muskujt e barkut dhe filloni të bëni ulje-ngritje të këmbës së shtrirë, duke i forcuar muskujt e saj. Ngrijeni këmbën ngadalë, aq sa të jetë e rehatshme ose derisa të vijë paralel me këmbën tjetër. Mbajeni deri në pesë sekonda, pastaj ulni këmbën përsëri në dysheme. Përsëriteni ushtrimin me këmbën tjetër. Vështirësoni ushtrimin: Përpiquni të ngrini njëkohësisht të dy këmbët.

Ushtrimi i katërt: Qëndroni ulur duke u mbështetur në mur

Qëndroni me shpinë në drejtim të murit, me këmbët tuaja të hapura sa gjerësia e shpatullave. Zgjasni krahët drejt dhe forconi muskujt e barkut. Rrëshqisni trupin poshtë murit, duke u ulur derisa kofshët tuaja të jenë paralele me dyshemenë. Mbajeni pozicionin deri në pesë sekonda, pastaj ngrihuni. Vështirësoni ushtrimin: Vendosni një llastik rezistence mbi gjunjë. Ndërsa qëndroni të ulur duke u mbështetur në mur, mos e lini llastikun të tërheqë gjunjët drejt njëri-tjetrit.