Rihapet e Galeria Kombëtare e Kosovës - Kurti: Kultura nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë të denjë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në rihapjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Në fjalën hyrëse, Kurti tha se rihapja e këtij institucioni qendror të artit, është dëshmi e një bindjeje të qartë se kultura nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë të denjë, sikurse që arti nuk mund të ruhet, prezantohet dhe zhvillohet pa hapësira të përshtatshme për krijim, ekspozim dhe konservim.
“Ky investim në vlerë prej më shumë se 1.6 milion euro është provë se ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së skenës kulturore nuk është luks, por domosdoshmëri. Projekte të këtilla kërkojnë kohë, planifikim dhe përkushtim, prandaj shpesh rruga deri te realizimi i tyre mund të duket e gjatë”, tha ai.
Me këtë rast, Kurti theksoi se objektet kulturore nuk ndërtohen vetëm për nevojat e sotme, por ndërtohen për brezat që vijnë, për artistët e së nesërmes, për ruajtjen e kujtesës sonë kolektive dhe për një shoqëri që e sheh kulturën si pjesë të zhvillimit të saj.
Prandaj, theksoi ai, çdo investim kapital në infrastrukturën kulturore është një investim afatgjatë në identitetin, edukimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.
“Investimi në Galerinë Kombëtare nuk është thjesht investim në një ndërtesë, është investim në kujtesën tonë kolektive, në artistët tanë dhe në brezat që do të vijnë pas nesh”, u shpreh ai. /Telegrafi/






























