Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm në rastin “Drenica 1”, lidhur me akuzat për ndikim në dëshmitarë, të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it.

Përmes një reagimi publik, Lushtaku ka thënë se ky vendim shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata gjyqësore ndaj tij, të cilat, sipas tij, kanë nisur para 13 vitesh.


“Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli sot aktgjykimin me të cilin u konfirmua pafajësia ime edhe ndaj akuzave për ndikim në dëshmitarë në rastin ‘Drenica 1’, si pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka deklaruar se proceset gjyqësore ndaj tij janë zhvilluar me qëllim të dënimit të tij dhe ka pretenduar se akuzat ishin të bazuara në deklarata dhe dëshmitarë të rrejshëm.

“Ky rast shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata e të rënda për mua, të cilat nisën para 13 vitesh, me një varg procesesh gjyqësore, me qëllim dënimin tim përmes akuzave që në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm”, ka shkruar ai.

Lushtaku ka thënë se gjatë gjithë këtyre proceseve ka besuar se e vërteta do të triumfonte dhe ka falënderuar familjen, bashkëluftëtarët, miqtë dhe qytetarët për mbështetjen e tyre.

“Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave e padrejtësive, ajo do të triumfojë një ditë”, ka deklaruar Lushtaku.

Rasti “Drenica” ishte një nga proceset gjyqësore të zhvilluara nga Prokuroria e EULEX-it ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vendimi i fundit i Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhet me akuzat për ndikim në dëshmitarë në kuadër të rastit “Drenica 1”./Telegrafi.