Ukraina goditi dy rafineri ruse të naftës dhe anije ushtarake në Detin e Zi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës kanë kryer gjatë natës sulme me rreze të gjatë veprimi ndaj disa objektivave strategjike në territorin rus, më shumë se 1300 kilometra larg vijës së frontit.
Sipas Zelenskyt, një nga objektivat e goditura ishte rafineria e naftës Bashneft-Novoyl në Bashkortostan.
Po ashtu, ai tha se u godit edhe rafineria Slavneft-YANOS në rajonin e Jaroslavlit, rreth 700 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Presidenti ukrainas shtoi se gjatë operacionit u goditën edhe dy anije patrulluese ushtarake ruse në Detin e Zi, si dhe mjete lundruese që, sipas Kievit, i përkasin të ashtuquajturës "flotë në hije", e cila përdoret nga Rusia për transportin e naftës pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.
Autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht pretendimet e Ukrainës dhe nuk ka një verifikim të pavarur për shkallën e dëmeve të shkaktuara nga sulmet.
Ky është një nga sulmet më të thella të raportuara nga Ukraina në territorin rus, ndërsa Kievi vazhdon të synojë infrastrukturën energjetike dhe objektiva të tjerë strategjikë që lidhen me financimin dhe logjistikën e luftës së Rusisë. /Telegrafi/






































