Ish-stjuardesa e Air France: Kanceri i gjirit njihet për herë të parë si sëmundje profesionale

Një gjykatë në Francë ka marrë një vendim të paprecedentë në sektorin e aviacionit, duke e njohur kancerin e gjirit të një ish-stjuardeseje të Air France si sëmundje profesionale.
Sophie Lainault, 59 vjeçe, punoi për rreth 30 vjet në kompaninë ajrore, nga viti 1989 deri më 2019. Gjatë karrierës së saj, ajo kreu më shumë se 12,600 orë fluturimi, mbi 6,500 prej tyre gjatë natës.
Në fillim të korrikut, gjykata në Bayonne vendosi se sëmundja e saj kishte lidhje me aktivitetin profesional. Në vendim u morën parasysh disa faktorë, përfshirë punën e rregullt gjatë natës, ekspozimin ndaj rrezatimit jonizues dhe tymit pasiv të duhanit.
Duhani lejohej të konsumohej në aeroplanët e Air France deri në vitin 2000, transmeton Telegrafi.
Gjykata gjithashtu konstatoi se nuk kishte faktor gjenetik apo element të lidhur me stilin e jetesës që të shpjegonte shfaqjen e sëmundjes.
Vendimi erdhi pas një beteje ligjore prej rreth dy vitesh e gjysmë. Dy komitete rajonale kishin refuzuar më herët ta njihnin lidhjen mes sëmundjes dhe profesionit të saj.
Meqë kanceri i gjirit nuk përfshihet në listën zyrtare franceze të sëmundjeve profesionale, njohja e tij kërkon një procedurë të veçantë dhe shpesh të gjatë.
Avokatja e Lainault, Elisabeth Leroux, tha se vendimi, i cili nuk është apeluar, mund të krijojë precedent ligjor dhe t'u hapë rrugë kërkesave të ngjashme nga anëtarë të tjerë të ekuipazheve ajrore.
“Shpresoj që kjo t'u hapë rrugën grave të tjera që deri tani mund të mos kenë guxuar të flasin”, deklaroi Lainault.
Për ish-stjuardesën, njohja zyrtare e sëmundjes si profesionale i mundëson gjithashtu daljen në pension të parakohshëm.
Air France, e cila nuk ishte palë në proces, tha se nuk ishte informuar për arsyetimin e plotë të gjykatës, por theksoi se shëndeti dhe siguria e punonjësve mbeten “prioritet absolut”.
Ky nuk është rasti i parë në Francë ku kanceri i gjirit lidhet ligjërisht me kushtet e punës. Në vitin 2023, një infermiere që kishte punuar gjatë natës për 28 vjet dhe ishte ekspozuar ndaj rrezatimit mori një njohje të ngjashme. /Telegrafi/






































