UEFA e butë ndaj Crvena Zvezdës: Ky është ndëshkimi për glorifikimin e kriminelit Ratko Mladic në një ndeshje evropiane

Crvena Zvezda është dënuar nga UEFA për sjelljen e tifozëve të saj gjatë ndeshjes në Pilsen, ndërsa klubi serb nuk do të mund të llogarisë në mbështetjen e tifozëve në ndeshjen e ardhshme evropiane jashtë fushe.
Komisioni Disiplinor i UEFA-s mori vendimin pas procedurës së nisur për shkak të mesazheve dhe sjelljes së grupit të tifozëve “Delije” gjatë ndeshjes.
Dënimi kryesor është ndalimi i shitjes së biletave për tifozët e Crvena Zvezdës për ndeshjen e ardhshme jashtë fushe në garat evropiane.
Megjithatë, klubi serb ka shmangur një masë edhe më të rëndë, pasi UEFA nuk ka urdhëruar mbylljen e tribunave të stadiumit “Rajko Mitić” për ndeshjet e fazës së parë të Ligës së Konferencës.

UEFA ka aktivizuar edhe një dënim me kusht që Crvena Zvezda e kishte marrë në prill të vitit 2025 për shkak të sjelljes raciste të tifozëve.
Përveç ndalimit të pranisë së tifozëve në transfertën e ardhshme evropiane, Crvena Zvezda është dënuar me një total prej 98,250 eurosh.
Klubi duhet të paguajë 40,000 euro për sjellje raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, 50,000 euro për shfaqjen e një mesazhi të papërshtatshëm dhe 8,250 euro për sjellje të papërshtatshme të ekipit.
Në të njëjtën kohë, UEFA ka vendosur edhe një ndalim të ri për shitjen e biletave për një tjetër ndeshje jashtë fushe, por ky dënim është me kusht. Ai do të aktivizohet vetëm nëse Crvena Zvezda kryen një shkelje të ngjashme gjatë dy viteve të ardhshme.
Rasti lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes në Pilsen, ku tifozët e “Delije” brohoritën emrin e Ratko Mladićit dhe shpalosën një banderolë me mesazhin: “Gjeneral, lavdi dhe falënderime të përjetshme”.

Mladić u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Pikërisht për këtë sjellje, UEFA ka marrë masat disiplinore ndaj klubit serb, duke e lënë Crvena Zvezdën pa tifozët e saj në ndeshjen e ardhshme evropiane si mysafir. /Telegrafi/








































