LAJMI I FUNDIT:

Tubimi i parashikuar i Ramës në Athinë nuk pritet mirë në Greqi

Tubimi i parashikuar i Ramës në Athinë nuk pritet mirë në Greqi

Në Greqi nuk e kanë pritur aspak mirë këmbënguljen e kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar takimin e 12 majit me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetin helen.

Pas raportimeve të gazetës “Kathimerini” se autoritetet greke i kishin kërkuar bashkëpunëtorëve të shefit të qeverisë që të shtynte takimin me emigrantët pas 9 qershorit, për të mos ndikuar te zgjedhjet për Parlamentin Europian, Rama e rikonfirmoi vizitën e tij me një postim të ri në rrjetet sociale, duke thënë: “Pres me shumë krenari takimin me të gjithë ju, shqiptarë të Greqisë”, raporton A2 CNN.


Edhe pse vizita e Ramës mund të konsiderohet private dhe konform ligjeve në fuqi, pasi Ministria e Jashtme greke është informuar përmes kanaleve diplomatike, ajo ka nxitur reagime të forta pasi do të ndodhë në njëvjetorin e arrestimit të Fredi Belerit.

Vizita zhvillohet në një kohë kur Kyriakos Mitsotakis e ka përfshirë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës në listën e 42 kandidatëve në garën për një mandat në Parlamentin Europian, por pala shqiptare ka tentuar të hedhë poshtë çdo lidhje mes datës së përzgjedhur nga Rama dhe çështjes “Beleri”.