LAJMI I FUNDIT:

Tmerri i tërmetit, një bandë që klith i dashur armik

Tmerri i tërmetit, një bandë që klith i dashur armik

E gjithë qeveria u ngrit në këmbë duke akuzuar një segment të mediave të reja, për të justifikuar një përzierje deliri dhe frike që kaploi të dielën në darkë me dhjetëra mijëra qytetarë. Vërshimin e tyre irracional në rrugët dhe autostradat përreth Tiranës, tmerrin e nxitur nga një dalldi kolektive, kryeministri, ministrja e Mbrojtjes edhe ai i Rendit e panë si pasojë e dy reporterëve të ngratë që policia shkoi t’i ndalonte në mes të natës.

Sipas gjithë kupolës së Rilindjes, fakti që një popull i tërë i shumëzoi me zero vitet e arsimimit, orët në klasat e shkencave ekzakte, dokumentarët e Eksplorerit dhe filloi të besonte se tërmetet qenkërkan të parashikueshëm, ishte mëkati i disa mediave online.

Natyrisht, kolegët tanë nuk qenë pa faj. Ata janë viktima të një sistemi të ngritur gabim ku diktatura e shpejtësisë ka bërë të harrohet saktësia. Ata janë pre e redaksive të varfra që punojnë me pak gazetarë, sepse portalet janë të vetmet media të taksuara egërsisht nga kjo qeverisje. Ata janë ‘bisha” në një luftë të egër mbijetese, ku informimi i drejtë dhe i ndershëm kalon në plan të fundit.

Si të tillë, shpesh më shumë se nga ligësia, lajmet e rreme prodhohen nga padituria dhe mungesa e profesionalizmit. Kjo është koha që të gjitha mediat e reja, përfshirë edhe ne të Lapsit, të shohim nga vetja, të mëtojmë standarde të reja dhe të kërkojmë falje sa herë nuk jemi gjendur në lartësinë e misionit tonë.

Por, prej këtu, të arrish të abstrahosh siç bën qeveria, se paranoja çmendurake që kaploi të dielën në mbrëmje mbarë Tiranën ishte e nxitur nga mediat, është qesharake. Madje tentativa e Ramës për të parë në këtë gjurulldi, një akt kriminal që tentonte të nxiste panik është po aq marrëzi sa ajo e çdo burri që rendte mbrëmë mbi trotuare me kanotjere dhe brekë fanellate.

Nëse këto media antiqeveritare do të kishin këtë fuqi në publik, nëse ato do të kishin pasur një të qindtën e forcës për këtë shpëlarje truri kolektive, ne nuk do të ishim duke dëgjuar ende sot broçkulla si këto të kryerilindasit. Do qemë çliruar me kohë nga marrëzitë që transmeton pafundësisht ERTV.

Po atëherë, kur dalldia e djeshme nuk mund të shkaktohej nga disa lajme online, përse Rama nxitoi ta vërë gishtin mbi to?

Përgjigjja mund të jetë e komplikuar. Ajo mund të lidhet me paranojën e një lideri të sëmurë që nuk e shpjegon dot ngritjen e turmave jashtë kontrollit të tij. Ajo mund të shpjegohet me vetëmbrojtjen automatike për të larguar përgjegjësinë nga vetja. Ajo mund të justifikohet me tentativën për të fshehur mungesën e përgatitjes së shtetit.

Por, mbi të gjitha, është e mundur se ajo ka të bëjë me një sjelle tashmë të shndërruar në instinkt tek Rilindja: atë për të gjetur në çdo ngjarje një armik. Aktivizimi i menjëhershëm i këtij instinkti e shtyu Ramën të denonconte një strategji kriminale që kishte si qëllim të paramenduar panikimin e popullsisë. Ajo i bëri dy nga ministrat më të rëndësishëm të qeverisë të përsërisnin të njëjtin refren bajat.

Në thelb, ajo është e ngjashme me mënyrën si janë sjellë rilindasit pas çdo ngjarje të madhe që ka ndodhur në këtë vend. Edhe kur kapet një vjedhje qindra milionëshe e një koncesioni, armiku është opozita që do të nxijë imazhin e vendit; edhe kur plas një skandal, fajin e kanë mediat e kazanit që e fryjnë raportimin; edhe kur kapet drogë në Holandë, fajin e kanë holandezët që ekzagjerojnë, kundër nesh, një zanat të cilin e kanë ngritur në mjeshtëri vetë; edhe kur një rilindas përdhunon një vajzë, fajin e ka Berisha që zbulon identitetin e viktimës.

Pikërisht ky mekanizëm i identifikimit të një armiku, u vu në lëvizje edhe pas dalldisë kolektive që kaploi kryeqytetasit. Raporti absurd i një dashurie urrejtje me armikun e radhës, pa të cilin tashmë nuk mund të jetojnë, i nxiti automatikisht rilindasit ta arsyetojnë rendjen marroke të njerëzve dhe automobilave në mes të natës, me fake-news që prodhuan dy reporterë.

Dhe, këtu absurdit kolektiv i mbishtohet edhe absurdi i pushtetit. Sepse, sikur mos mjaftonte pashpjegueshmëria e komportimit primitiv të një pjese të popullatës, Rama do të na bëjë të besojmë se ajo u shkaktua nga mediat armike që patën si qëllim të ngjallnin panik. /Lapsi/

Në trend

Më shumë

"Unë thjeshtë dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

Magazina
Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në

Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në "Miss Universe", bukuroshja Rumy Alqahtani do t'i përfaqësojë në garën e bukurisë

Magazina
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Zbulohet se sa do të jetë

Zbulohet se sa do të jetë "kostoja ditore" nga shembja e urës në Baltimore

Amerika
Kalo në kategori