eksperti ad

Një feministe gjermane pohon se perëndimorët kanë një “detyrim moral” të mbeten pa fëmijë - dhe të pranojnë më shumë refugjatë. Ka vetëm një problem për këtë.

Nga: Michael Deacon, satirist / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Shumë konservatorë janë të shqetësuar për rënien - në dukje të pandalshme - të normave të lindshmërisë në vendet perëndimore. Por, kjo nuk ndodh sepse kanë frikë nga shpërbërja e pashmangshme e ekonomive tona dhe kolapsi i shërbimeve publike.

Jo, ndodh thjesht sepse janë racistë të mëdhenj.

Të paktën, ky është mendimi i Dr. Verena Brunschweiger, një feministe gjermane që shkruan libra duke u bërë thirrje grave të mbeten “pa fëmijë” - si vetë ajo. Në një intervistë gjatë fundjavës, për një faqe kryesore australiane të lajmeve, ajo pretendoi se politikanët e djathtë në Perëndim “duan që gratë të lindin gjithnjë e më shumë foshnja të bardha”, në mënyrë që ta përdorin këtë si justifikim për t'u mbyllur derën refugjatëve nga “Jugu Global” (i njohur dikur si Bota e Tretë). Sipas saj, ky është “një zhvillim vërtet i rrezikshëm”. Në vend të kësaj, ajo deklaron se vendet perëndimore kanë një “detyrim moral” të pranojnë sa më shumë refugjatë të jetë e mundur - dhe të ndalojnë së pasuri fëmijë të tyre.

Kjo është, sigurisht, një dhembshuri e mrekullueshme nga ana e saj. Megjithatë, kam frikë se logjika e saj mund të ketë një të metë të vogël.

Në fund të fundit, nëse perëndimorët ndalojnë së pasuri fëmijë dhe, si rrjedhojë, me kalimin e kohës zhduken, kush do t'i paguajë taksat e nevojshme për të financuar mirëqenien sociale dhe strehimin e refugjatëve të ardhshëm?

Madje, po të ishte e kundërta, Dr. Brunschweiger do të duhej t'u thoshte perëndimorëve të bënin më shumë fëmijë. Ndërkohë, ajo do të duhej të qortonte me ashpërsi çdo perëndimor që mbetet pa fëmijë.

“Si guxon, o derr fashist!” - do të duhej të bërtiste ajo. “Është e qartë se i urren aq shumë njerëzit që nuk janë të bardhë, sa ke neglizhuar me qëllim detyrimin tënd moral për të sjellë në jetë taksapaguesit e ardhshëm që do të nevojiten për të subvencionuar brezin e ardhshëm të refugjatëve! Këta njerëz të mjerë do të mbërrijnë në brigjet tona, të dëshpëruar për ndihmë - por, falë teje, fanatik egoist, nuk do të ketë më perëndimorë që t'ua ofrojnë atë!”

Megjithatë, diçka më thotë se Dr. Brunschweiger do ta shpërfillë sugjerimin tim dhe do të vazhdojë të përhapë mesazhin e saj “antinatalist”. Kjo mund të tingëllojë e bezdisshme. Megjithatë, në planin afatgjatë, besoj se do të japë fryte të mëdha.

Kjo sepse studimet mbi normat e lindshmërisë në Perëndim zbulojnë një prirje shumë interesante. Konservatorët perëndimorë në fakt po bëjnë pothuajse po aq fëmijë sot sa bënin para 30 vjetësh. Janë progresistët perëndimorë ata që po bëjnë shumë më pak.

Prandaj, nëse kjo prirje vazhdon, e ardhmja afatgjatë e Perëndimit është me siguri e ndritur. Pikërisht për këtë arsye duhet t'i urojmë fatin më të mirë Dr. Brunschweigerit - dhe të shpresojmë që progresistët e tjerë të vazhdojnë të ndjekin këshillën e saj të shkëlqyer. /Telegrafi/