LAJMI I FUNDIT:

Themelimi i grupeve për mbikëqyrje, cenim i pavarësisë së Bankës Qendrore të Kosovës

Themelimi i grupeve për mbikëqyrje, cenim i pavarësisë së Bankës Qendrore të Kosovës

Pavarësia e Bankës Qendrore i referohet lirisë së saj nga ndikimi i drejtpërdrejtë politik ose qeveritar.

Gjatë viteve ’70-ta dhe fillim të viteve ’80-ta, ekonomitë kryesore të industrializuara të botës përjetuan periudha me inflacion të lartë. Pas këtyre periudha shumë analistë më të njohur të kohëve tentuan të analizojnë se pse bankat qendrore i lejuan ato të ndodhnin?

Në bazë të krahasimeve komperative të vendeve të ndryshme, shumë hulumtues kanë vënë në dukje se presionet politike ishin arsye kryesore e inflacionit në këto vende. Politikanët e zgjedhur shpesh mund të motivohen nga konsideratat elektorale afatshkurtra ose mund të vlerësojnë shumë rritjet ekonomike afatshkurtra, ndërkohë që në planin afatgjatë si pasojë e këtyre politikave vijnë pasojat afatgjata inflacioniste dhe luhatjes së stabilitetit financiare në vend.

Tendencat e politikanëve të zgjedhur për të shtrembëruar politikat ekonomike mund të rezulton shumë e dëmshme për ekonominë e vendit. Për këtë arsye pavarësia e Bankës Qendrore në vend është e rëndësisë jetike për funksionimin të ekonomisë dhe financave në vend. Për të siguruar stabilitetin financiar në një vend, bankat qendrore bashkëkohore janë të ndara nga qeveria dhe ministria e financave të vendit.

Filluar nga 2020 ku pandemia e shkaktuar nga COVID-19 bëri që e gjithë bota të përjetojë krizën më të thellë ndonjëherë dhe ende pa dalë nga kjo krizë me pasoja të tmerrshme për njerëzit dhe ekonomitë në gjithë botën, agresioni ushtarak rus në Ukrainë vetëm sa ka bërë që gjendja nga shumë e keqe të kalojë në gjendje të tmerrshme, ku stabiliteti financiar dhe ekonomik edhe në vendet më të zhvilluara janë bërë sfidë shumë e komplikuar, inflacioni gati dy shifror ka shtyrë në shqyrtim skenarët më të këqij të stres testeve të këtyre vendeve për të konsideruar.

Në Kosovë në drejtim krejt të kundërt të zhvillimeve në vendet demokratike, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e së e kësaj të mërkure, si pikë të rendit ditës, ka paraparë edhe Formimin e grupit punues lidhur me “mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.

Ky paralajmërim për themelimin e këtij grupi do të jetë goditje e rëndw për stabilitetin financiar në vend dhe paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës për BQK-në, e cila e ka të garantuar pavarësinë e saj, ku Neni 140, thotë se Banka Qendrore, është institucion i pavarur i cili i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës dhe se qeverisja e BQK-së dhe procedurat e zgjedhjes dhe të nominimit të anëtarëve të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës rregullohen me ligjin, cili duhet të sigurojë pavarësinë dhe autonominë e saj.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sot është institucioni më kredibil dhe më i besueshëm në vend, këtë vlerësim e kanë dhënë edhe organizatat dhe institucionet ndërkombëtare të cilat kanë dhënë nota të larta për institucionin rregullues financiar në vend.

Pra është e rrugës që Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës, fare të mos tentojë dhe të krijojë grupe punuese të cilat do të prekin pavarësinë e BQK-së.

Tendenca për të kapur BQK-në dhe për të ndërhyrë në proceset e saj, cenon procese të rëndësishme, komplekse që kanë ndjeshmëri për Kosovën, siç është edhe procesi i Arbitrazhit Ndërkombëtar të Iute Credit kundër vendit.

Në vitin 2020 kur bota u përfshi nga pandemia COVID-19 dhe shumë shtete dhe institucione financiare ndërkombëtare u ballafaquan me probleme, ishte BQK-ja që në Kosovë përmes vendimeve të saja, arriti që të ruajë besimin dhe qytetarët e Kosovës, të jenë të sigurt me mjetet e tyre që i kanë në institucionet bankare në vend.

Pra, pavarësia e BQK-së, është kruciale për të ecur tutje dhe të jetë në harmoni edhe me politikat e akterëve financiare në vend.

Po ashtu, një problem që shumë shtete e kanë, përshirë edhe vendet e rajonit është problemi i kredive të këqija të cilat në vende e tjera kanë përqindje shumë më të lartë se Kosova. Pra edhe pse pandemi, falë BQK-së, ne kemi arritur të kemi shumë pak kredi jo-performuese, të kemi kapitalzim të lartë të likuiditetit në shumë sektor, po ashtu edhe është rritur konkurrenca dhe ku kemi edhe institucione të reja në Kosovë që shtrijnë aktivitetin bankar në vend.

Nuk duhet harruar që me pavarësinë që sot në Kosovë, ka BQK-së, janë bërë hap shumë pozitiv, edhe ideja që të kemi liberalizim të tregut të sigurimeve TPL është jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Nëse do të kemi lëvizje nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës, dhe do të themelohen grupe për mbikëqyrje të BQK-së është e sigurt se do të prishet imazhi pozitiv i Kosovës sa i përket aktiviteteve të sistemi bankar e financiar në vend dhe ndërhyrjes së institucionet e pavarura në Kosovë.

Sot në Kosovë janë disa banka vendore e ndërkombëtare të cilat së bashku e përbejnë mozaikun e sistemit bankar në vend. Bankat e huaja e kanë model Kosovën për funksion të mirë të sistemit bankar, zhvillimit të mirë të sistemit të pagesave dhe kjo është arritur falë përkushtimit të pavarësisë së funksionimit të BQK-së.

Sot bota kapitaliste i beson institucioneve të pavarura dhe të drejtësisë dhe nuk dot ë ishte mirë që të ketë ndërhyrje politike dhe tendenca për të pasur nënë kontroll BQK-në. Këto tendenca do të mund të ndikojnë edhe në procese të ndryshme që lidhen më Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Të gjitha raportet ndërkombëtare, BQK-në, e kanë vlerësuar lartë. Njëri ndër to është edhe Komisioni Evropian ku BQK-në e ka vlerësuar me notën 3, kurse vendin në total e ka vlerësuar me 1.9. Edhe Departamenti i Shtetit ka dhënë vlerësime pozitive për BQK-në, pastaj Banka Botërore, FMN e institucione të tjera ndërkombëtare.

Nuk është faji i Bankës Qendrore të Kosovës, se pse nuk është votuar me kohë Bordi i BQK-së nga Kuvendi i Kosovës, pra vonesa e Bordit ka shkaktuar vonesa në funksionalizimin e tërësishëm të BQK-së.

Për fund edhe agresioni rus në Ukrainë ka prekur sistemin financiar në gjithë botën për shkak të tregjeve botërore ku bën pjesë edhe Kosovë edhe pse si vend i vogël. Me besimin dhe vlerësimin që ka BQK-ja, është arritur të ruhet besueshmëria qytetare ndaj sistemin bankar dhe financiar në vend. Pra, rol kyç në këtë segment ka BQK-ja që përmes politikave të saj ka arritur të ruaj imazhin pozitiv të Kosovës. /Shkruan: Safet Gërxhaliu/Telegrafi/