LAJMI I FUNDIT:

Tërmet i fuqishëm në Afganistan – humbin jetën të paktën 250 persona

Tërmet i fuqishëm në Afganistan – humbin jetën të paktën 250 persona

Një tërmet i fuqishëm ka vrarë të paktën 250 njerëz dhe disa të lënduar në Afganistan, ka thënë një zyrtar lokal për BBC.

Fotot e shpërndara në mediat sociale tregonin njerëz në barela, rrënoja dhe shtëpi të rrënuara në provincën Paktika, transmeton Telegrafi.


Një zyrtar i qeverisë lokale tha për BBC se numri i të vdekurve prej më shumë se 250 ka gjasa të rritet dhe më shumë se 150 të tjerë ishin lënduar.

Tërmeti ndodhi rreth 44 kilometra (27 milje) nga qyteti juglindor i Khost.

Lëkundjet u ndjenë në më shumë se 500 kilometra në Afganistan, Pakistan dhe Indi, sipas Qendrës Sizmologjike Mesdhetare Evropiane, cituar nga Reuters.

Qendra tha se dëshmitarët kishin raportuar se e kishin ndjerë tërmetin në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, si dhe në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.

“Fatkeqësisht, mbrëmë pati një tërmet të fortë në katër rrethe të provincës Paktika, i cili vrau dhe plagosi qindra bashkatdhetarë tanë dhe shkatërroi dhjetëra shtëpi”, shkroi në Twitter zëdhënësi i qeverisë, Bilal Karimi.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha agjencive të ndihmës që të dërgojnë ekipe në zonë menjëherë për të parandaluar katastrofën e mëtejshme”.

Tërmeti – i cili ndodhi gjatë orëve të para derisa shumë njerëz flinin – ishte me magnitudë 6.1 në një thellësi prej rreth 51 kilometrave, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA. /Telegrafi/