Taylor Swift dhuron 42 mijë euro për nënën e tre fëmijëve që rrezikoi jetën për të shpëtuar disa adoleshentë

Taylor Swift ka bërë një tjetër gjest bamirësie, duke dhuruar 50 mijë dollarë, rreth 42 mijë euro, për Ashley Taunton, një nënë e tre fëmijëve që u plagos rëndë pasi rrezikoi jetën për të shpëtuar disa adoleshentë nga një aksident automobilistik në Rhode Island.
42-vjeçarja po udhëtonte në autostradën I-95 South me vajzën e saj më të vogël kur pa një automjet me një shofer adoleshent që kishte humbur kontrollin për shkak të shiut.
Taunton ndaloi për t’i ndihmuar të rinjtë dhe, ndërsa po përpiqej t’i largonte nga rruga, një automjet tjetër humbi kontrollin dhe e përplasi, shkruan DailyMail.

Taunton pësoi dëmtime të rënda dhe kërcënuese për jetën, përfshirë dëmtime në arteriet karotide, çarje të mëlçisë dhe shpretkës, fraktura të shumta të brinjëve dhe dëmtim të diafragmës. Ajo ka treguar se në ato momente mendoi se mund të vdiste.
“Mendova, ‘Kaq ishte’. Pastaj edhe në ambulancë, thjesht po lutesha — nuk doja të vdisja”, rrëfeu ajo.

Sipas raportimeve, Swift u prek nga historia e saj dhe vendosi ta ndihmonte financiarisht.
Ndërkohë, një fushatë në GoFundMe, e krijuar për të mbuluar shpenzimet e rikuperimit, kishte mbledhur më shumë se 64 mijë dollarë, rreth 54 mijë euro, nga 110 mijë dollarë, rreth 93 mijë euro, që është objektivi i saj. Mjekët presin që fizioterapia e Taunton të zgjasë deri në një vit. /Telegrafi/















































