eksperti ad

Sunderland ka refuzuar ofertën e parë të Chelseat për transferimin e Granit Xhakës, duke i bërë të qartë klubit londinez se mesfushori zviceran nuk është në shitje për asnjë shumë.

Interesimi i Chelseat vjen me kërkesë të trajnerit të ri, Xabi Alonso, nën drejtimin e të cilit Xhaka luajti te Bayer Leverkusen. Të shtunën, "Blutë" paraqitën një ofertë prej rreth 9 milionë eurosh për 33-vjeçarin.


Megjithëse Chelsea e konsideron ofertën të drejtë, drejtuesit e Sunderlandit e kanë cilësuar atë të papranueshme, madje duke e parë si mungesë respekti ndaj klubit dhe vetë lojtarit.

Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni në një marrëveshje me vlerë deri në 20 milionë euro, përfshirë bonuset, dhe u emërua menjëherë kapiten i skuadrës.

Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane pati një rol vendimtar në sezonin e kaluar, duke ndihmuar Sunderlandin të përfundojë në vendin e shtatë në Premier League dhe të sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane për herë të parë pas 53 vitesh.

Ironikisht, kualifikimi u vulos në javën e fundit pikërisht me një fitore ndaj Chelseat, rezultat që la skuadrën londineze në vendin e dhjetë dhe jashtë garave evropiane.

Xhaka ka kontratë me Sunderlandin deri në qershor të vitit 2028 dhe klubi ka bërë të ditur se nuk ka asnjë plan për ta lejuar largimin e tij.

Madje, drejtuesit e Sunderlandit i kanë komunikuar Chelseat se nuk do të shqyrtojnë asnjë ofertë tjetër dhe se presin që të respektohet kontrata e lojtarit.

Përvoja e Xhakës në futbollin anglez, pas shtatë sezoneve të kaluara te Arsenali, konsiderohet një tjetër arsye pse Sunderland nuk dëshiron të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës./Telegrafi/

telegrafi sport app