“Stop Enciklopedisë”

Enciklopedia e akademikëve maqedonas ka përkeqësuar situatën politike në këtë vend si në marrëdhëniet ndëretnike ashtu edhe në procesin e integrimit të këtij vendi në BE, dhe atë në kohën kur Maqedonia nuk po mundet ta zgjidhë problemin me Greqinë për emrin.
Maqedonasit me një veprim po mundohen ta luajnë lojën me shqiptarë në mënyrë që opinioni të mos merret me problemet që janë larg zgjidhjes, e në veçanti procesi i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Si pasojë e moszbatimit të kësaj marrëveshjeje ende ka mangësi të përdorimit të gjuhës shqipe në mbishkrimet para institucioneve shtetërore të Maqedonisë. Të gjitha ministritë i kane mbishkrimet e shkruara vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa gjuha shqipe është e pranishme vetëm para institucioneve të pushtetit lokal, ku shqiptaret janë shumice.
Akademikët maqedonas në enciklopedinë e botuar thonë se shqiptarët njihen si "arbanasë", "arnautë" dhe "shiptari". Kjo e fundit shoqërohet me shpjegimin përkatës (njerëz mali - “planinci”).
Në këtë enciklopedi, të financuar nga Qeveria e Maqedonisë, shkruhet se "prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve ndërsa vendosja e tyre fillimisht ishe nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen. Për rrjedhojë, vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. Deri në fillimet e shekullit të 20-të, shqiptarët numëronin 20 mijë banorë".
Sipas akademikëve maqedonas, rritja e numrit të popullsisë shqiptare në Maqedoni argumentohet me natalitetin e lartë dhe migrimet nga Kosova.
Pasi nuk jam historian më bënë shumë përshtypje heshtja e shqiptarëve të Maqedonisë? Çka presin të bëhet që të reagojnë? A nuk mjafton fyerja dhe shtrembërimi i historisë për shqiptarët atje? Une nuk kam parë asgjë tjetër përveç një “protestëze” të lëvizjes qytetare “Zgjohu”.
Madje zv. Kryeministri Abdilaqif Ademi reagoi më vonë se të gjithë zyrtarët e Kosovës e pas tij i erdhi radha edhe kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski që për herë të parë ka pranuar se Enciklopedia ka fyer shqiptarët e Maqedonisë.
Akademia e Shkenca dhe e Arteve e Maqedonisë në radhët e saj ka edhe tre akademikë shqiptarë. A ka mjaftuar vetëm distancimi i tyre nga kjo enciklopedi? A është dashur që këta akademikë të ngrisin padi në gjykatën për të drejtat e njeriut? Akademikët maqedonas janë shprehur të gatshëm për ndryshime sipërfaqësore në disa pjesë të enciklopedisë por nuk mendojnë për tërheqjen e saj të plotë.
Zëvendëskryeministri për integrimin evropian i Maqedonisë, Vasko Naumovski, ka deklaruar se janë në pritje të raportit të Komisionit Evropian në mes të tetorit, për të parë nëse Enciklopedia do të ndikojë ose jo në këtë dokument.
Mirëpo pasi në këtë enciklopedi ka akuza edhe për dy aleatët më të mëdhenj në botë SHBA-të dhe Britaninë e Madhe se gjoja këta paskan trajnuar shqiptarët për akte terroriste, jam i sigurt se kjo enciklopedi nuk do ta ketë fatin ashtu siç kanë dashur maqedonasit. Ajo duhet të ndryshojë tërësisht, duke hequr dorë nga vazhda e projekteve të mëparshme antishqiptare.
Presionin më të madh duhet ta bëjnë politikanët shqiptarë më me ndikim në Maqedoni e sidomos koalicioni qeverisës. Po ashtu duhet të bëhet thirrje për t’i kthyer të gjitha kopjet e shitura dhe të ndalohet botimi i dytë i cili është në fazën e përfundimit.






































