Inspektorati i Punës apelon për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta


Inspektorati i Punës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë periudhës me temperatura të larta, duke u drejtuar si punëdhënësve ashtu edhe punëmarrësve, veçanërisht atyre që punojnë në kantierë ndërtimi dhe ambiente të hapura.
Në njoftimin zyrtar, institucionet theksojnë se temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, ndaj kërkohet respektim i plotë i masave të sigurisë në vendin e punës.
“Temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, prandaj është e domosdoshme që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës, duke siguruar pushime të rregullta, furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizim të punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet nga vapa”, thuhet në njoftim.
Inspektorati ka ftuar punëdhënësit që të ndërmarrin masa parandaluese, ndërsa punëtorët të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojë sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës.
“Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë realizimin e inspektimeve dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi, ndërsa ndaj subjekteve që nuk respektojnë masat e sigurisë, do të ndërmerren veprimet ligjore përkatëse”, theksohet më tej.
Në fund të njoftimit, institucionet kanë rikujtuar se siguria dhe shëndeti në punë mbeten përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të jenë prioritet në çdo kohë. /Telegrafi/




































