eksperti-banner

Reparti i Emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës ka ofruar shërbime për 1,928 pacientë gjatë muajit maj, duke trajtuar raste të ndryshme që kanë kërkuar ndërhyrje dhe kujdes urgjent mjekësor.

Sipas të dhënave të publikuara nga spitali, ndër rastet e trajtuara gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 97 aksidente, shtatë raste të lëndimeve nga rrahjet dhe katër raste të dhunës në familje.


Po ashtu, 13 pacientë janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë, ndërsa pesë raste kanë përfunduar me vdekje.

Nga Spitali i Gjakovës është bërë e ditur se Reparti i Emergjencës vazhdon të funksionojë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke ofruar shërbime për pacientët që kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore.

“Reparti i Emergjencës vazhdon të ofrojë shërbime 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe trajtim profesional për të gjithë pacientët që kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore”, thuhet në njoftim.

Spitali ka shprehur mirënjohje për stafin mjekësor, infermieror dhe mbështetës për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët. /Telegrafi/