LAJMI I FUNDIT:

S’ka rrymë, ka rrymë – çfarë po ndodh me krizën energjetike në Kosovë?

S’ka rrymë, ka rrymë – çfarë po ndodh me krizën energjetike në Kosovë?

Pa u bërë 24 orë nga njoftimi i Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) për reduktime të rrymës në vend, siç duket është gjetur zgjidhja, të paktën për momentin.

KEDS pati njoftuar për reduktime sipas orarit – gjashtë orë me rrymë dhe dy orë pa të.

Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar se është rikthyer furnizimi i rregullt me rrymë, pas një marrëveshjeje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 [15 gusht] dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, ka njoftuar ME-ja.

Shqipëria i del në ndihmë Kosovës, kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike
Lexo po ashtu Shqipëria i del në ndihmë Kosovës, kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike

Sipas ministrisë, prodhimi ditor i rrymës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) aktualisht është 507MWh në orë, kurse kërkesa për konsum është deri në 750MWh në orë.

“Ne jemi duke bërë gati masat jo vetëm për furnizim të rregullt, por veçanërisht për të ndërprerë përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, pra humbjet nga vjedhjet. Këto humbje vazhdojnë të jenë shumë të larta e për të cilat kompania dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur rezultate”, kishte njoftuar ministria.

Furnizimi, sipas ME-së, po bëhet vetëm nga prodhimi vendor për shkak të çmimit të lartë të energjisë në bursat ndërkombëtare të energjisë, ku pjesa tjetër po importohet.

Ministria e Ekonomisë jep detajet rreth reduktimit të energjisë elektrike
Lexo po ashtu Ministria e Ekonomisë jep detajet rreth reduktimit të energjisë elektrike

Çmimi i energjisë në bursën hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për MWh.

Ndërsa, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka bërë të ditur se si rrjedhojë e mos balancës në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe asaj së siguruar për mbulim të konsumit nga operatorët përgjegjës në treg, janë shkaktuar devijime të theksuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës, gjatë javëve dhe muajve të fundit.

“Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës si reflektim i krizës botërore energjetike kërkon mirëkuptim dhe mobilizim të të gjithë faktorëve andaj krahas angazhimit që po e bëjnë institucionet përgjegjëse, këshillohet edhe kontributi i qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale për aq sa është e mundur”, thekson KOSTT.

KOSTT kërkon nga qytetarët kursimin e energjisë elektrike
Lexo po ashtu KOSTT kërkon nga qytetarët kursimin e energjisë elektrike

Reagimet e opozitës

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku pas njoftimit të KEDS-it për reduktime, ka thënë se duhet të jepet përgjegjësi për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarësinë energjetike të Kosovës.

Çitaku ka shtuar se sigurimi i energjisë elektrike është çështje e sigurisë kombëtare.

“6-2 orari i reduktimeve në mes të Gushtit, kur niveli i konsumit është i ultë. Mund ta marrim me mend se si do të jetë dimri në Kosovë këtë vit. Dikush duhet me dhanë përgjegjësi për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarësinë energjetike të Kosovës”, thuhet në reagimin e saj.

Çitaku: Në gusht reduktimet 6 me 2, mund ta marrim me mend se çka do të ndodh në dimër
Lexo po ashtu Çitaku: Në gusht reduktimet 6 me 2, mund ta marrim me mend se çka do të ndodh në dimër

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë Kurti duke theksuar se dimri i 2022-së do të jetë më i rëndi që ka përjetuar vendi ndonjëherë.

“Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë. Reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim. Kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë”, thotë Abdixhiku.

Abdixhiku: Ky dimër do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë - reduktime e rrymës e faturat e shtrenjta
Lexo po ashtu Abdixhiku: Ky dimër do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë - reduktime e rrymës e faturat e shtrenjta

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se ky paralajmërim është fushatë psikologjike e Qeverisë Kurti.

“Paralajmërimi i reduktimeve në pikë të verës, është asgjë më shumë se paralajmërim i një fushate psikologjike të Qeverisë Kurti. Është thirrje që të bëhemi gati për një dimër të gjatë”, thuhet në reagimin e Tahirit.

Tahiri: Po na matet pulsi, nëse durojmë tash 2 orë durojmë edhe 12 orë pa rrymë gjatë dimrit
Lexo po ashtu Tahiri: Po na matet pulsi, nëse durojmë tash 2 orë durojmë edhe 12 orë pa rrymë gjatë dimrit

Çfarë përmban vendimi i Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e krizës energjetike?

Në fillim të këtij muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.

Sipas arsyetimit, ky vendim është marr nga gjendja aktuale botërore energjetike.

Këto masa do të mbesin aktive për 60 ditë.

“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”, vijon njoftimi.

Fillojnë reduktimet e rrymës në Kosovë – çfarë parasheh vendimi i Qeverisë për krizën energjetike?
Lexo po ashtu Fillojnë reduktimet e rrymës në Kosovë – çfarë parasheh vendimi i Qeverisë për krizën energjetike?

Ky vendim përfshinë:
– Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit;
– Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave;
– Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe
– Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, qeveria kishte marr vendim për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike. /Telegrafi/